Ambasadori zviceran në Shqipëri, Christoph Graf (57), ka dhënë një intervistë për të përditshmen zvicerane “Luzerner Zeitung”, ku ka vlerësuar vendin për tolerancën fetare dhe ka folur për imazhin e shqiptarëve në Zvicër.
“Shqiptarët që kanë jetuar në Zvicër, një kohë të gjatë, si pasojë e veprimeve të tyre nuk kishin imazh pozitiv. Megjithatë unë akoma nuk kam përjetuar një vend, që dallon aq shumë nga perceptimi i zviceranëve me realitetin. Fotografia e zymtë nuk tregon vendin e shndritshëm dhe me jetesë mediterane. Vizitorët janë të magjepsur sesa i qetë dhe i sigurt je këtu. Përveç kësaj shqiptarët janë mikpritës dhe natyra është e mrekullueshme: ngjashëm si në Zvicër, e pasur me shumë burime ujore.” Ndërsa si ngjashmëri mes zviceranëve dhe shqiptarëve ai e sheh “përpjekjen për pavarësi.”
Në pyetjen se çfarë mund të mësojnë zviceranët nga shqiptarët, Graf përgjigjet:
“Artin e improvizimit, ruajtjen e lidhjeve farefisnore, mikpritjen dhe tolerancën religjioze. Unë nuk njoh vend me shumicë muslimane, ku dominon toleranca religjioze. Përzierja mes muslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve është mjaft e përhapur.”
Ndërsa atë që duhet ta luftojë më shumë Shqipëria, është korrupcioni dhe atë “veçanërisht në organet e drejtësisë dhe shëndetësisë,” pasi te “korrupcioni i vogël shoh përmirësime të dukshme.” Gjithashtu Shqipëria duhet të luftojë edhe “krimin e organizuar, që është një sfidë e madhe.”
Diplomati zviceran gjithashtu kujton se gjatë kohës kur ai ishte në shkollë, Shqipëria në hartë paraqitej me një shenjë të bardhë, për shkak se ishte vend mjaft i izoluar. Por kjo tashmë ka ndryshuar dhe Shqipëria pret mjaft investime nga jashtë, ku vetëm nga Zvicra ka përfituar “330 milion franga nga vitet 90-të.”
Në fund ai përmend edhe projektin e gazsjellësit TAP, me 1.5 miliardë dollarë investim që njëherësh do jetë përgjegjës për gjysmën e rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe do hap shumë vende të reja pune./Bota sot/