Kokaina në Durrës, kreu i Antimafias italiane përgëzon autoritetet shqiptare

Shqipëria

Kokaina në Durrës, kreu i Antimafias italiane përgëzon autoritetet shqiptare

Më: 28 shkurt 2018 Në ora: 22:01
Federico Cafiero De Raho

“Prokurori Kombëtar i Antimafias dhe Antiterrorizmit uron përzemërsisht Prokurorinë dhe Policinë Shqiptare për operacionin që çoi në sekuestrimin në Portin e Durrësit të një sasie të madhe lënde narkotike. Ky operacion merr edhe më shumë rëndësi falë faktit se u realizua nga Policia Shqiptare, pa asnjë ndihmë nga ana e autoriteteve gjyqësore italiane”, kështu thuhet në një deklaratë të kreut të Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho, pas kapjes së 613 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit.

Sipas Raho, suksesi i arritur sot në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike është një ndër rezultatet e para të strategjisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilën sipas tij, “qeveria shqiptare po e zbaton fuqimisht, siç munda të mësoj dhe gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri, të realizuar me ftesë të Ministrit të Brendshëm”.

“Siç dhe konstatova duke vizituar selinë e Task Forcës, e ngritur me vullnetin e Ministrit të Brendshëm dhe siç pata mundësi t’ua deklaroj qartësisht dhe organeve të medias, nga takimet me Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë dhe Drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, u shfaq vullneti dhe angazhimi i qeverisë dhe prokurorisë për të vënë në jetë të gjitha masat e nevojshme për të penguar infiltrimin e krimit të organizuar në institucionet shqiptare”, thotë kreu i Antimafias më tej në reagimin e tij.

De Raho thekson se, Prokuroria Kombëtare e Antimafias dhe Antiterrorizmit do të ofrojë çdo lloj mbështetje për institucionet gjyqësore dhe për Policinë Shqiptare, për të luftuar sa më mirë krimin e organizuar transnacional.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat