Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho bëri sot betimin në Kuvend, pas marrjes së mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë si kandidat i listës shumemërore të PS-së për Qarkun Tiranë për plotësimin e vakancës, mandat nga i cili hoqi dorë Saimir Tahiri.
Në fillim të seancës së sotme plenare, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi informoi se në mbledhjen e komisonit të Mandatit dhe Imuniteteve u bë verifikimi i mandatit paraprak, ku rezultoi se Braho nuk ka asnjë paligjshmëri në zgjedhje.
Në bazë të nenit 72 të Kushtetutë dhe nenit 4 të Rregullores së Kuvendit, ai ftoi Brahon të bëjë betimin si kusht për të ushtruar mandatin e deputetit.
Braho ishte i 19-ti në listën e PS-së për Tiranën, por ai kishte marrë një post tjetër si këshilltar, gjë që nuk e pengoi të pranonte mandatin.
Ai mori mandatin e deputetit, pasi Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit një javë më parë, pas hetimeve të nisura nga prokuroria.