Dorëhiqen gjyqtarët e Haxhisë, Askush s’pranon të rigjykojë “vrasjen e Azem Hajdarit” - Bota Sot
Dorëhiqen gjyqtarët e Haxhisë, Askush s’pranon të rigjykojë “vrasjen e Azem Hajdarit”

Shqipëria

Dorëhiqen gjyqtarët e Haxhisë, Askush s’pranon të rigjykojë “vrasjen e Azem Hajdarit”

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 15:15
Izet Haxhia

Rigjykimi i Izet Haxhisë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, për vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdarit, duket se ka hyrë në një ngërç ende pa filluar shqyrtimi gjyqësor.

Pas dorëheqjes së trupës gjyqësore, ku mes tre gjyqtarëve ishte edhe bashkëshortja e Azemit, të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe treshja e dytë e gjyqtarëve të apelit që janë përzgjedhur për këtë gjykim.

Burime pranë Gjykatës së Apelit, kanë pohuar se edhe gjyqtarët e trupës së dytë që janë: Valdete Hoxha, Genti Shala dhe Astrit Haxhialushi, kanë kërkuar të dorëhiqen nga kjo çështje me argumentimin se kanë konflikt interesi.

Por dorëheqjen pritet ta deklarojnë në seancën e parë që do të zhvillohet gjatë muajit shtator. Nisur nga kjo situatë e krijuar, Gjykata e Apelit me shumë gjasa do t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të zgjidhur këtë ngërç, duke deleguar gjyqtarë nga gjykatat e tjera të apelit në vend.

Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës, u ekstradua nga Turqia në vendin tonë në muajin maj të këtij viti. Në qershor, Gjykata e Tiranës i njohu të drejtën e rivendosjes në afat të ankimit për vendimin që e ka dënuar me 25 vite burg si një nga fajtorët për vrasjen e Azem Hajdarit në shtator të viti 1998.

Vetë Izet Haxhia gjatë procesit për t’ju njohur ankimi ka deklaruar se pranoi ekstradimin pasi mori garanci për jetën dhe se do të dëgjohej nga drejtësia. Ndërsa për ish-shefin e tij që dikur i ka ruajtur jetën, ka deklaruar se nga viti ‘90 deri në ‘98 ishte dëshmitarë i shumë ngjarjeve kriminale të cilat mund t’i djegin Berishës. Tani mbetet te shikohet se kush trup gjykues do t’i japë të drejtën Izet Haxhisë për të folur në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit, e quajtur ndryshe edhe si “vrasja e shekullit” të kaluar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...