Politika fiskale/ Tatimet: Kalimi i biznesit të vogël në TVSH kaloi pa asnjë kosto

Shqipëria

Politika fiskale/ Tatimet: Kalimi i biznesit të vogël në TVSH kaloi pa asnjë kosto

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 07:37
Drejtoria e Tatimeve

Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH u zbatua pa penalitete, pa kosto për biznesin dhe pa rritje çmimesh për konsumatorët, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kalimi i biznesit të vogël në skemën e TVSH-së është një politikë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare, me synim rritjen e formalitetit në ekonomi si dhe kontrollin e plotë të zinxhirit të transaksioneve të TVSH-së, me fokus biznesin e madh. Sipas DPT, 11.493 subjekte të biznesit të vogël dorëzuan deklaratën e TVSH-së për periudhën qershor 2018 pa asnjë penalitet.

Një tjetër fakt i nënvizuar gjatë gjithë procesit të informimit për kalimin e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, që sërish u provua i vërtetë, është se kjo masë nuk do të shkaktonte rritje të çmimeve në treg. Së bashku me INSTAT, Administrata Tatimore monitoroi çmimet e produkteve dhe kryesisht ndikimin që do të kishte skema e TVSH-së tek këta tatimpagues. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, në muajin gusht rritja e përgjithshme e çmimeve regjistroi një nivel 2.2%, pra qartësisht brenda intervalit të përcaktuar edhe nga Banka e Shqipërisë (2-4%).

Të dhënat që disponon Administrata Tatimore tregojnë se ritmi i rritjes së TVSH-së ka qenë pozitiv. TVSH-ja bruto u rrit me rreth 6.2% për periudhën janar–gusht 2018 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose në shifra rreth 1.9 miliardë lekë. Në muajin gusht 2018 TVSH-ja bruto u rrit me rreth 21.4%, ose me rreth 808 milionë lekë në krahasim me muajin Gusht 2017. Në periudhën janar-gusht 2018 janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit 13.600 biznese dhe janë çregjistruar 4.800.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat