Kreditë e buta, shtyhet afati për fituesit

Shqipëria

Kreditë e buta, shtyhet afati për fituesit

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 08:10
Ilustrim

Drejtoria e Strehimit në bashkinë e Tiranës po shqyrton 2500 dosjet, për t’i renditur me sistemin e pikëzimit. Individët që kanë dorëzuar dokumente të mangëta apo të gabuara përjashtohen

Dokumentet e 2500 individëve e familjeve që kanë aplikuar për kredi të butë, po shqyrtohen nga Drejtoria e Strehimit në Bashkinë e Tiranës.  Pas mbylljes së  afatit për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm në muajin gusht, Drejtoria nuk ka shpallur fituesit në shtator, dhe nuk do ta publikojë listën as në në tetor, për shkak të  volumit të madh të dosjeve, që po i verifikon për t’i renditur me sistemin e pikëzimit.

Në total do të jenë 500 fitues që do të mund të përfitojnë kredi me normë interesi 3 për qind.  Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se lista e fituesve është parashikuar të miratohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të muajit nëntor. Bashkia e Tiranës ka hapur aplikimet për 500 kredi të buta më datën 16 prill.  Kusht kryesor për të përfituar kredi,  janë të ardhurat. Një familje e vogël me 1-2 persona duhet të ketë të ardhura mujore të deklaruara 44 mijë deri në 80 mijë lekë në muaj. Ndërsa për ato me më shumë se 5 persona, që mund të kenë në pronësi një banesë nën normat e strehimit dhe kërkojnë të sigurojnë një banesë 3+1, duhet të kenë të ardhura mujore nga 88-158 mijë lekë në muaj. Bashkia subvencionon interesat e kredisë, duke bërë që qytetari të përfitojë normë të pandryshueshme interesi me 3 për qind.

Dokumentacioni

Këtë vit janë plot 500 qytetarë që do të shpallen fitues e do të përfitojnë nga programi social “Subvencionimi i interesave të kredisë”. Personat që kaluan fazën e parë dorëzuan pranë zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë e Tiranës dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit, në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues.

Respektivisht kandidatët ishin të udhëzuar për të dorëzuar: formularin e strehimit, certifikatën e lindjes së aplikantit dhe certifikatën e gjendjes familjare, vërtetim të vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi, vërtetim të të ardhurave neto të familjes apo individit, vërtetimin e punësimit si dhe dokumentin për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.

Përzgjedhja

Sipas Drejtorisë së Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, përzgjedhja e fituesve do të jetë sipas një sistemi pikëzimi ku u jepet përparësi kategorive që kanë më shumë nevojë; çiftet e reja, familjet me nëna kryefamiljare dhe ato me persona me aftësi të kufizuara. Të gjithë ata që kanë aplikuar do e gjejnë emrin e tyre në listën e fituesve, por lista do të jetë e rankuar në bazë të çifteve të reja, nënave kryefamiljare, personave me aftësi të kufizuara dhe pastaj familjet që nuk i përkasin asnjë prej këtyre kategorive.

Strehimi

Deri në vitin 2020 shteti shpenzojë rreth 550 milionë lekë, çdo vit për të siguruar strehim për familjet në nevojë. Një rritje shumë të vogël ky buxhet do ta pësojë në vitin 2021 kur do të shkojë në vlerën e 560 milionë lekë, shkruan shekulli. Por pavarësisht shifrave Ministria e Financave dhe Ekonomisë pretendon se do të mundësojë strehim për rreth 42% të familjeve të pastreha të regjistruara deri në vitin 2021, krahasuar me 9% që parashikohet të strehohen deri në fund të vitit 2018.

Ndër të tjera programi “Strehimi”, për periudhën 2019–2021, synon që të mbështesë për herë të parë rreth 3280 familje të pastreha nëpërmjet skemës së kredive të subvencionuara nga shteti përgjatë kësaj periudhe. Edhe numri i familjeve që përfitojnë bonus qiraje do të rritet nga 381 përfitues të parashikuar në vitin 2018 në 1009 përfitues në vitin 2021. Referuar familjeve që do të përfitojnë banesa sociale me qira në objekte të adaptuara do të rritet duke shkuar në 260 familje përgjatë tre viteve në vijim

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat