Ish-kandidati për kryeprokuror të përkohshëm, në sitën e vettingut

Shqipëria

Ish-kandidati për kryeprokuror të përkohshëm, në sitën e vettingut

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 12:43
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka pasur një ditë të ngjeshur këtë të enjte, teksa pasi shqyrtoi rivlerësimin e prokurorit Shpëtim Kurti, kreu edhe seancën dëgjimore për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani.

Selmani është njëri nga ish-kandidatët që garoi vitin e kaluar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Trupa e Komisionit përbëhet nga Roland Ilia, Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli.

Gjatë seancës, KPK-ja lexoi gjetjet e konstatimet e institucioneve ndihmëse. ILDKPKI-ja konstaton se deklarimi i pasurive nuk është i saktë dhe në përputhje me ligjin, ka burime të ligjshme dhe nuk ka fshehur pasuri. DSIK-ja konstaton papërshtatshmëri, për arsye se në këndvështrim të përgjithshëm, me cilësinë e një prokurori për kryerjen apo moskryerjen e detyrës, e kur këto veprime dëmtojnë interesat e shtetit, këto cënojnë figurën e prokurorit, integritetin dhe shkallën e besueshmërisë.

Edhe pse grupi i punës pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka vlerësuar punën e prokurorit Selmani, si për aftësitë profesionale, ashtu dhe për etikën dhe angazhimin në punë, por edhe për paanësi pasi nuk rezulton të ketë konflikt interesi, ky subjekt ka qenë i pezulluar njëherë nga detyra.

Pezullimi vinte si pasojë e hetimit të 23 shkurtit 2017, kur është regjistruar çështja e shpërdorimit të detyrës në ngarkim të Artur Selmanit. Në përfundim të tij nuk rezultoi se personi nën hetim të jetë ndikuar në mënyrë të paligjshme apo të ketë pranuar përfitime të paligjshme, ndaj hetimet u pushuan.

Ndërkohë, KPK kreun hetim për pasuritë e Selmanit dhe konstatoi vërtetësi, sikurse edhe përshtatshmëri sa i përket pastërtisë së figurës. Ndërkaq vlerësohen si të shkëlqyera aftësitë profesionale. Megjithatë, në një apartament 119m2 të blerë në vitin 1999 për 4 milionë lekë me kredi për trajtimin me strehim, i cili është në bashkëpronësi me bashkëshorten, KPK konstatoi mospërputhje deklarimesh për sipërfaqen, një herë deklarohet 110m2 dhe një herë 119m2.

Komisioni, pasi verifikoi gjetjet e DSIK-së, konstatoi se subjekti në vitet 2006, 2007 dhe 2008 ka deklaruar se ka fituar të ardhura nga pjesëmarrja në lotaritë sportive, në shumën e 10 mijë dollarëve.

Për një ngjarje të 21 shkurtit 2017, familjarët e të vrarëve në lagjen “Çole” të Vlorës ankohen se subjekti, bashkë me prokurorë të tjerë kanë mbajtur qëndrim lehtësues ndaj 3 të pandehurve. Tre ditë më vonë nisi procedimi penal. Më 23 shkurt, Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur pezullimin e prokurorit Selmani. Duke qenë se pezullimi jepet kur shkelja është shumë e rëndë, subjekti Artur Selmani tha në komunikimin me KPK-në se masa e pezullimit që dha kryeprokurori ishte e paligjshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat