Profesor Bardhyl Zajmi, personalitet që duhet të kujtohet e të mos harrohet  

Sporti

Profesor Bardhyl Zajmi, personalitet që duhet të kujtohet e të mos harrohet  

Nga: Jakup Kasapolli Më: 9 janar 2019 Në ora: 10:59
Ilustrim

Në nderim dhe kujtim të njeriun që dha shumë për zhvillimin e Kulturës Fizike dhe sportit  në Kosovë nga 1947-1998 (1)

Në një ditë të ftohtë të 2 janarit të vitit 1998 u nda nga jeta në moshën 76 vjeçare një njeri i mirë, një njeri i rrallë, një punëtor i pashoq i shumë nismave, që i dha aq shumë zhvillimit të kulturës fizike dhe sportit në Kosovë. Në ato rrethana të rënda, në ditët e ankthit e të  zymtësisë  që kishin kapluar Kosovën, kur pushteti serb në Kosovë kishte instaluar dhunën dhe terrorin mbi shqiptarët, profesor Bardhyli nuk ishte parë një kohë të gjatë në publik. Por, me shumë gjasa i zhgënjyer tej mase me rrethanat e krijuara, kur edhe sporti luhej me zemër të thyer e shpirt të plagosur, sigurisht edhe i sëmurë, gati në vetmi, kishte pritur vdekjen. Lajmi për vdekjen e profesorit ishte përhapur po atë ditë, ose  disa orë para se ai të varrosej. Në përcjelljen e tij të fundit dhe në ato rrethana, as që ka pasur kohë, mundësi, iniciativë, ndoshta edhe ndonjë organizim të duhur për ceremoni përkatëse për lamtumirën e tij të fundit, jo vetëm pse e donte rendi dhe zakoni, por pse ky njeri e meritonte, e kishte hak. Në heshtje, ashtu siç ishte edhe vet jeta e tij e heshtur, pa bujë dhe zhurmë, në prani të vetëm disa dhjetëra njerëzve, anëtarëve të familjes, miqve më të ngushtë, ish kolegëve dhe disa studentëve, u varros profesori  i nderuar.

Kush ishte Prof. Bardhyl Zajmi?  

U lind në Pejë me 4 shtator 1922. Kur ishte vetëm dy vjeç, prindërit e Bardhylit emigruan në Shqipëri. Në Tiranë mbaroi shkollimin fillor dhe të mesëm teknik. Si i ri u inkuadrua në Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Zihet rob lufte dhe deportohet në llogorin e Prishtinës. Në vitin 1943 shpëton nga pushkatimi, duke ikur nga llogori për t’u bashkuar brigadës së shtatë të Kosovës, e cila tashmë ishte angazhuar në  luftën dhe  frontin e Sremit. Në vitet 1945/46 Bardhyli qëndron në Beograd, ku emërohet përgjegjës për sport. Po atë vit 1946, ai regjistron Institutin Shtetëror të Fizkulturës (ISHF), (DIF) që ishte shkollim intensiv njëvjeçar. Si absolvent në fillim të vitit shkollor 1947/48, vijnë bashkë me bashkëshorten e tij Radën në Prishtinë, me të cilën ishte martuar gjatë studimeve. Krahas punës, ai vijon kurse pedagogjike, për të mbaruar më 1950 Normalen në Pejë.

Edhe më tutje vazhdon me studime të ISHF, që i përfundon në vitin 1954, në Beograd. Menjëherë pas ardhjes së tij nga Beogradi në Prishtinë, më 1947/48, ai i reket punës si kuadër dhe si përgjegjës kryesor i Këshillit Krahinor të fizkulturës. Këshilli asokohe ishte bartës i organizimit të gjitha nismave të aktiviteteve të fizkulturës në Kosovë. Përkundër gjendjes së rëndë që vuante Kosova e dalë nga Lufta e Dytë Botërore, skamjes ekonomike, mungesës së mjeteve, objekteve dhe kuadrit profesional, Bardhyli i nxitur nga niveli shumë i avancuar i fizkulturës në qytetin ku bëri studimet, dhe  këshillat që kishte marrë nga profesorët e  kësaj lëmie, nisë edhe vet pothuaj nga e para dhe asgjëja, organizimin e aktiviteteve të fizkulturës dhe segmenteve të saj, edukatës fizike dhe sportit.

Pas themelimit të  Këshillit Krahinor të fizkulturës, ai filloi të organizoi aftësimin shkollimin e kuadrit përkatës të fizkulturës, duke i dërguar të rinjtë dhe sportistët nga Kosova në shkollat përkatëse në Novi Sad, Zemun, Beograd dhe Zagreb. Më pastaj, nisi konkretisht të jetësoi sportet që deri atëherë nuk kishin formë të duhur të organizimit: gjimnastikën, atletikën, lojërat sportive: futbollin, basketbollin, volejbollin, hendbollin e madh, skijimin, notin etj.

Pasi kishte vizituar terrenet e përshtatshme për ski në Rugovë (Bogë), ai siguroi dërgesën e parë të dhjetëra palë skive falas për fëmijët rugovas, që më vonë do bëhet qendër e çerdhe e shumë skitarëve të njohur. Organizoi mbajtjen e  kurseve të para për instruktorë dhe mësues të skitarisë, që mundësuan  organizimin e garave të para zyrtare të skijimit që  u zhvilluan në mars te vitit 1948, pikërisht në Alpet shqiptare, në Bogë. Ndihmesë të madhe në këtë drejtim i dhanë edhe shokët e kolegët e profesionit por edhe dashamirët e sportit të skive si: Daut Nimani, Xhavit Spahiu, Rada Zajmi, Dragosllav - Kllara Stoimiroviq, Ferit Hisari, Sadik Vraniqi, Vesel Kiseri, Naim Polloshka e të tjerë. Po në vitin 1948, Bardhyl Zajmi me kërkesë të  Këshillit Fiskultural të Kosovës për nxitjen e zhvillimit të sportit “të masave të gjana popullore” bashkë me Hajdar Jakupin, Ali Dautin, Hasan Shalën, Masar e Nexhat Begollin, Hasan Berishën, Avdurahman Shalën, Sahit Zatriqin, Rexhep Gjihën, Qamil Nixhën, Skender Gjinalin, Mazllom Xërxën e shumë  të tjerë, i vunë themelet e sportit të basketbollit e volejbollit dhe nismës së organizimit të  garave të para me 1948.

Me krijimin e skuadrave të para të këtyre sporteve në pesë qendrat më të mëdha në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë e Mitrovicë, për t’u përhapur pastaj edhe në qendra tjera. Bartës të këtyre aktiviteteve ishin shkollat: gjimnazet, shkolla normale, teknike e bujqësore të Kosovës. Personaliteti dhe autoriteti i tij prej organizatori nuk e kursyen as nga sporti më i popullarizuar - futbolli. Edhe pse futbolli në këto hapësira me traditën dhe popullaritetin e vet aso kohe ishte aktiviteti më i pranishëm sportiv në më shumë se dy dekada, megjithatë, kuvendi themelues i këshillit të futbollit për Kosovën nuk u mbajt deri më 30 janar të vitit 1949, kur Bardhyl Zajmi anëtarë i organizatës dhe Këshillit Fizkultural të Kosovës, lexoi referatin për aktivitetin e futbollit dhe detyrat për organizimin e përparimin e tij. Vlen të theksohet se në këtë tubim u zgjodh edhe Këshilli i Futbollit të Kosovës nga punëtorët më të dalluar sportiv që me dekada ishin bartësit e kësaj dege sportive nëpër vendet ku edhe jetuan dhe vepruan si: Muharrem Pasha - Miki - Pejë, Bardhyl Zajmi - nga Këshilli Fizkultural i Kosovës, Kolë Lekaj - nga organizata e referëve të futbollit, Qemajl Zajmi - Mitrovicë dhe Petko Vukiçeviq - nga Federata e Futbollit të Serbisë - FFS.

Lidhja e futbollit ishte e para e cila organizoi një ndeshje miqësore të futbollit në Prishtinë e Prizren, në vitin 1948. Duhet theksuar se ndeshja ishte e rastit në momentin kur Reprezentacioni i Shqipërisë kthehej nga Beogradi, ku kishte zhvilluar ndeshjen për Kampionatin Ballkanik. Ndeshja në Beograd kishte përfunduar me rezultat (0:0). Shqipëria ishte Kampione e Ballkanit në vitin 1946. Kampionati u mbajt në Tiranë, Shqipëria e para, Jugosllavia e dyta, Rumania dhe Bullgaria. Ndeshjen në Prishtinë përfundoi me rezultatin (4:1) për Shqipërinë. Kurse në Prizren ndeshja nuk u zhvillua shkaku i rezolutës së Informbyrosë. Edhe ketu për organizimin e kësaj ndeshje, merita të veçanta  kishte Prof. Bardhyl Zajmi. Mungesa e kuadrove profesionale për Kulturën Fizike në Kosovë, ishte brenga e madhe e Profesor Bardhylit.

Me insistimin e tij, kuadri përkatës filloi të shkollohet në shkollën e mesme të Fizkulturës në Novi Sad (1947/48), e cila transferohet në Zemun - Beograd (1948/49 e tutje), në Zagreb (1948), dhe në DIF - Institutin Shtetëror të Fizkulturës në Beograd. Vlen të theksohet se nxënësit e parë dhe mësuesit e parë të Fizkulturës ishin: Sadik Vraniqi, Ferit Hisari, Vesel Kiseri, Xhavit Spahiu, Naim Polloshka, Arsim Fehmiu, Hilmi Hisari e Ruzhdi Kabashi (të shkolluar në Zemun), Refik Zurnaxhiu (i shkolluar në Zagreb), të gjithë nga Prizreni dhe Nysreet Begolli nga Peja i shkolluar në Zemun. Pas profesor Bardhyl Zajmit (1946/47), studentët e parë që regjistruan Institutin Shtetëror të Fizkulturës (DIF-in) ishin: Daut Nimani (1949) nga Peja, Arsim Fehmiu (1952) nga Prizreni. Iljaz Sina me 1957 nga Gjakova e tjerë.

Për aftësimin e mësuesve të fizkulturës për nevojat e Kosovës, me iniciativën  e Prof. Bardhylit, u organizuan kurse pedagogjike në vitin 1953 e 1954 në Prizren. Me iniciativën e tij të pareshtur dhe vendimin e Këshillit të atëhershëm për Arsim dhe Kulturë të Krahinës, në vitin 1956 realizoi ëndrrën e parë drejt profesionalizimit të kuadrit përkatës: hapjen e Shkollës së Mesme të Fizkulturës në Prishtinë. U pranuan dhe u regjistruan 69 nxënës. Kryetar dhe arsimtarët e komisionit të provimit pranues ishin Prorf. Bardhyl Zajmi - kryetar, edhe mësimdhënësit e parë të profesionit: Rada Zajmi, Dragosllav-Kllara Stojimiroviq, Daut Nimani, Kallugjeroviq Mihailo-Mitke e Arsim I. Fehmiu. Profesor Bardhyli ishte inspektor e mësimdhënës, kurse profesoresha Rada Zajmi (e shoqja e Bardhylit), emërohet drejtoreshë e shkollës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat