Belegu: Ligji për sponsorizime nuk krijon komoditet financiar për sportin

Sporti

Belegu: Ligji për sponsorizime nuk krijon komoditet financiar për sportin

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 13:29
Belegu: Ligji për sponsorizime nuk krijon komoditet financiar për sportin

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se zbatimi i Ligjit për Sponsorizim në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë, pritet të sjellë përfitime të mëdha për këto kategori. Sipas tij, pritjet janë që vlera e sponsorizimeve gjatë një viti të jetë deri në 30 milionë euro.

Në debatin me temë “Çfarë përfitime sjellë zbatimi i Ligjit për Sponsorizim në fushën e Sportit, Kulturës dhe Rinisë”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Sport, Gashi vlerësoi se ky ligj heq dilemat për keqpërdorime dhe shpëlarjen e parave.

Gashi: Hiqen dilemat për mundësi të shpëlarjes së parave

“Ajo që kisha me veçuar, është një Rregullore e mirë, profesionale e cila ka paraparë të gjitha kriteret për sponsorizimin edhe për ata që e japin dhe për ata që e pranojnë sponsorizimin. Pemës kësaj Rregullore, hiqen edhe dilemat që kanë qenë në vazhdimësi qoftë nga Ministria e Financave apo edhe nga mekanizmat tjerë si dhe mundësisë keqpërdorimit ose siç është quajtur shpëlarja e parasë. Andaj, ka një kontroll të jashtëzakonshëm të kësaj çështje për formën se si jepet deri te vërtetimi i sponsorizimit. Pra, janë disa filtra në të cilat kalon sponsorizimi”, theksoi Gashi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi, deklaroi se kompanitë e kosovare e kanë mundësinë ideale që të përkrahin një kauzë që është kontribut i drejtpërdrejt për zhvillim të vendit dhe fuqizimin e sportit.

Rukiqi: Sporti një veprimtari e zhvillimit që përfaqëson edhe imazh

“Sot sporti nuk është vetëm një veprimtari që është pjesë e zhvillimit të një shoqërie ku për neve përfaqëson imazh në të njëjtën kohë edhe mundësi për adresimin e disa prej sfidave themelore që i ka ky vend... Ajo që mua më gëzon si fakt është se kemi një miks të rëndësishme të dashamirëve të sportit”, deklaroi Rukiqi. 

Ndërsa, biznesmeni njëherësh këshilltar i kryeministrit, Erolld Belegu ka vlerësuar se ligji në fjalë do ta përmirësojë fushën e sportit dhe kulturës, por që kërkoi nga federatat dhe drejtues të sportit që mos të qëndrojnë duarkryq duke pritur para, pasi nuk beson që do të ketë as 10 milionë euro në vitin e parë.

Belegu: Ligji nuk duhet të na bëjë “dembel”

“Ky ligj do ta disiplinojë sportin dhe kulturën dhe qarkullimi i mjeteve do të bëhet në mënyrë legale, pra edhe sporti dhe tjerët do të paguajnë tatim. Impakti në buxhet mund të jetë deri në 30 milionë euro. Pra, në këtë rast prekët vetëm tatimi në fitim, por unë besoj që viti i parë nuk do të jetë as dhjetë milionë euro, sepse kompanitë së pari duhet të vetëdijesohen. Dobësia e kësaj mënyre është që kompanitë e mëdha që kanë fitim të madh janë pak dhe krejt sporti ka me u koncentrua me i ndjekë ato kompani. Në anën tjetër kjo nuk i garanton të hyrat tek sporti, sepse kjo nuk do të thotë që tash ne duhet me u ulë dhe me pritë me na i sjellë dikush parat”, deklaroi Belegu.

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka shpreh shqetësimin e tij se do të ketë kundërshtime në zbatimin e ligjit në tërësi.  

Zeka: Shqetësimi im është se sërish dikush do ta parandalon zbatimin e ligjit në plotëni

“Shqetësimi im edhe droja është se sërish dikush do të gjen ndonjë mënyrë kreative për të parandaluar zbatimin e ligjit në plotëni qoftë përmes vënies së kritereve rigoroze ose përmes Udhëzimit Administrativ”, theksoi Zeka.  

Ndërsa, Adnan Ahmeti nga Instituti i Kosovës për Sport prezantoi Ligjin për Sponsorizime dhe përfitimet e sportistëve nga miratimi i tij.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ditë më parë ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për të Ardhurat e Korporatave me 74 vota “për” dhe dy abstenime, i cili ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat