Diellza Mahalla - një luftëtare e madhe, që po shkon hapave të axhallarëve të saj 

Sporti

Diellza Mahalla - një luftëtare e madhe, që po shkon hapave të axhallarëve të saj 

Nga: Kemajl Goca Më: 26 janar 2020 Në ora: 18:34
Diellza e Halil MahallaDiellza e Halil Mahalla

Sportet luftarake si gjithmonë i sjellin Kosovës medalje nga rrafshi ndërkombëtar. Kosova është një gurrë e pashtershme me talente në disiplinat e ndryshme sportive, jo vetëm të sportet luftarake. Një emër që po vjen është edhe Diellza Mahalla, e cila po shkon rrugëve të axhallarëve të saj, Fahriut, Ganiut, Hakiut, Rexhës, Sylës, Nebihut, Fehmiut (djali i Fahriut, kampion i Evropës), prindit Halili.

Diellza është stolisur me medalje të bronztë në garën Grand Prix që u mbajt në Samobor të Kroacisë. Ajo tregoi luftëra të mëdha në kategorinë për U-14, duke arritur në vend të tretë, një sukses i madh i garueses së kombëtares së Kosovës, njëherësh i KK Kastriotit të Ferizajt.

Diellza është e përkushtuar në punë, që të përsoset në çdo aspekt, që një ditë të arrijë edhe titujt e Evropës dhe të botës.  Medaljen që e fitoi në Samobor, e ka motivuar jashtëzakonisht shumë dhe pretendon suksese edhe më të mëdha.

Image

Halil Mahalla, Nebih Mahalla, Afrim Krasniqi, Diellza Mahalla e Gani Mahalla 

Prindi i saj, Halili, është krenar që vajza e tij, po shkon rrugës së vëllezërve të tij dhe të Fehmiut.  Halili është edhe kryetar i klubit, i cili tha se nuk do ta kursejë as centin e fundit vetëm për të arritur suksese, sepse sukseset e Diellzës nuk janë vetëm të saj e të Kastriotit por edhe të Kosovës.  

Çdo sukses në rrafshin ndërkombëtar gjithsesi se është edhe një fitore për Kosovën, që i jep një imazh të bukur shtetit tonë.  KK Kastrioti ka kushte shumë të mira, ka një numër të madh të vajzave e të djemve që punojnë me përkushtim nën drejtimin e kryetrajnerit Gani Mahalla, njeriu që dha kontribut të madh për sportin dhe edhe për çështjen kombëtare, sidomos në vitet e 90-ta, në kohën e okupimit.  Halili kërkon edhe më shumë nga Diellza dhe nga garuesit e tij, nuk kënaqet me kaq, sepse mendon se në klubin e tij ka një gjeneratë që në të ardhmen do të arrijnë shumë dhe do të janë edhe shembull për të tjerët.

“Ne si klub këtë rezultat e kemi pritur, bile edhe më shumë. Jemi të kënaqur si fillim i vitit sepse është një rezultat që na motivon. Kemi potencial, kemi një numër të madh të nxënësve. Klubi ka garues mjaft të mirë dhe shpresoj se ky vit do të jetë shumë i suksesshëm.  Është duke punuar me garues kryetrajneri Gani Mahalla, me trajnerët përcjellës dhe do ta përkrahen pa ndal, me arritur rezultate të kënaqshme”, thotë  Halili për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Më tej ka veçuar edhe disa garuese, të cilat ishin pjesë e Kosovës në Kroaci dhe treguan potencialin e tyre. “Është mbajtur Kampionati i Kosovës dhe Diellza ka qenë jashtëzakonisht e përgatitur, po ashtu ishin edhe garueset Hana Shamolli edhe Blina Sadiku, që kanë kallëzuar përforcmancë të mira në Kroaci. Hana ka dy luftëra të fituara, pastaj Blina, që patën një prezantim të kënaqshëm por fati sportiv nuk ishte me to, por do të punojmë ende për me arritur më shumë.  

Ky rezultat për klub, është mjaft motivues dhe ishte gara e parë e vitit 2020, shpresojmë që në këtë vit të kemi sukses, në qoftë se punojmë me këtë potencial. Kemi edhe gara tjera, e kemi garën në Umag, Kupën e Botës etj. ku do të marrim pjesë me nxënës dhe shpresoj se do të kemi rezultat. Punën do të bëjmë si klub me trajnerë dhe rezultati mbetet në pritje”, nënvizoi kryetari i klubit. Diellza - një luftëtare e madhe në arenë, që synon suksese të radhës. Kampionia e Kosovës për U-14, një nxënëse shembullore, punon me zell të shtuar dhe në rritje të formës së saj.

“E shoh veten shumë të kënaqur, jam edhe kampione e Kosovës në vitin 2020 për U-14, suksese që janë edhe motiv shtesë. Një shtytje për mu edhe kampione e Kosovës edhe fituese e medaljes së bronztë në Grand Prix. Besoj e shpresoj, se duke punuar do të ecim me rezultate. Besoj se në Umag do të arrijmë rezultate më të fuqishme, duke iu falënderuar klubit, trajnerëve të cilët janë të palodhur me mua dhe me gjithë nxënësit etj. asnjëherë nuk e kursejnë veten për rezultatet tona.

E falënderoj edhe prindin Halil Mahalla, prindërit e mi, që më përkrahin në çdo kohë, ku besoj se do të vazhdojë edhe me tej me rezultate të kënaqshme”, thotë Diellza.  Talentja e këtij sporti ka synime të mëdha , që një ditë të arrijë në piedestalin më të lartë: “Synimet e mija janë që të bëhem një kampione evropiane e botërore, t’i përcjelli hapat e familjes, si për shembull djali i mixhës Fehmiu, kampion i Evropë dhe katër herë rresht kampion i ‘Parisi Open’, shpresoj së paku të jem afër tij.

Falënderoj Fehmiun që na përkrah e na këshillon dhe sa herë vjen në Kosovë, na mban stërvitje, ku mësojmë shumë elemente më bashkëkohore të këtij sporti, i jemi mirënjohës”. Ajo është e kënaqur që brenda klubit ka edhe shumë garues të dalluar, duke përmendur disa prej tyre. “Besoj që me klubin Kastrioti, jo vetëm unë si Diellza Mahalla, do të ketë shumë kampion, siç janë Denisa, Alma e shumë nxënës tjerë, që kanë potencial, që të gjithë të ecin përpara me suksese të mëdha.

Image

I kërkoj falje që nuk mundi t’i ceki të gjithë nxënësit, por gjithë klubin Kastrioti e përshëndeti dhe po ashtu edhe për përkrahje. Është klub me traditë, shpresoj se do t’i ndjeki hapat e familjes, mbi 40 – vjeçare, të klubit që ekziston dhe që i ka kushte shumë të mira. Kemi dy salla që mbajmë stërvitje, të shkolla ‘Shaban Hashani’ dhe te salla private e familjes sime.

Një falënderim i veçantë shkon për trajnerët e mi që janë gjithnjë të angazhuar dhe përkrahës të të gjithëve. Besoj se ne nuk do t’i zhgënjejmë trajnerët tanë dhe do të arrijmë qëllimet që kemi së bashku. E falënderoj edhe prindin tim që më përkrah financiarisht edhe si trajner është i palodhshëm në këtë drejtim dhe i motivues i madh”, shpreh optimizmin Diellza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat