Kush mund t’i rivalizojë ekipet spanjolle? - Bota Sot
Kush mund t’i rivalizojë ekipet spanjolle?

Sporti

Kush mund t’i rivalizojë ekipet spanjolle?

Më: 8 shtator 2015 Në ora: 17:05

Në javën e ardhshme përkatësisht me 15 shtator fillojnë ethet e fazës së grupeve të Champions League. 32 ekipe janë të shpërndara në tetë grupe ku do të luftojnë për dy vendet e para në grup që shpie në të tetën e finales. Njohësit e analistët e futbollit parashikojnë një garë shumë të fortë me befasi si ndodhi deri më tash, kur klubi Astana nga Kazakistani për herë të parë është futur në fazën e grupeve të garës me prestigjioze. Barcelona është kampion i Evropës, e cila pretendon sërish të fitojë këtë trofe.

Spanjollët vlerësohen si ekipet që po dominojnë në vitet e fundit. Carlo Ancelotti, që kishte drejtuar një kohë Real Madridin, është kureshtar: “të shohë nëse skuadrat spanjolle do të vijojnë dominimin e tyre”. Ancelotti pas lamtumirës që i dha Realit ka marrë një vit pushim, pasi refuzoi edhe Milanin, por do të ndjekë futbollin kontinental nga faqja kineze “Sina Spors”.

Analiza e tij fillon pikërisht nga Champions League: sipas Ancelottit, Juventusi pas finales së humbur kundër Barcelonës në edicionin e kaluar, mund të kthehet për të thyer hegjemoninë hispanike. Pa dyshim që në garë për fitoren e finales mbeten edhe Chelsea, Manchester United, Bayern Munih, PSG dhe Manchester City. Të dy jashtëtokësorët e Ligës spanjolle: Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, janë në thatësirë golash pas dy javësh kampionati. Ancelotti është i sigurt se bëhet fjalë për një rastësi të çuditshme, duke pasur parasysh shifrat e tyre të zakonshme. Për Ronaldon, të cilin e ka drejtuar nga bankina, siguron.

“Nuk kam dyshime për Cristiano Ronaldon. E njoh shumë mirë dhe jam gati të vë bast se do të jetë sërish ‘pichichi’ në këtë sezon”, ka thënë duke iu referuar Trofeut “Pichichi”, që jepet çdo vit nga gazeta spanjolle “Marca”, për shënuesin më të mirë sezonal të ligës spanjolle. “Vitin e shkuar me mua shënoi 61 gola në total, vërtetë e pabesueshme”, tha Ancelotti.

Trajneri italian pati kohë edhe për batuta sidomos për pasardhësin e tij, Rafael Benitez. “Unë e di i pari se çdo të thotë të trajnosh Realin, dhe Benitezit i uroj më të mirën. E respektoj shumë punën e tij, mundem vetëm të them se ka një organikë të madhe lojtarësh nën komandën e tij, dhe e them këtë sepse kam qenë shumë me fat për formacionin e tyre në dy sezonet e fundit. Dy kolonat e Realit janë Sergio Ramos dhe Cristiano Ronaldo”, ka thënë Ancelotti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat