Aplikacioni që synohet të shndërrohet në pasaportë të vaksinimit

Teknologji

Aplikacioni që synohet të shndërrohet në pasaportë të vaksinimit

Më: 14 maj 2021 Në ora: 16:29
Aplikacioni i NHS-së

Aplikacioni i Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë në Britaninë e Madhe do të jetë në dispozicion për t’u përdorur si një lloj pasaporte e vaksinimit qysh nga e hëna, mirëpo vetëm për ata që i kanë marrë dy dozat e ndonjërës prej vaksinave të aprovuara për përdorim deri më tani.

Në dispozicion do të jetë edhe një formë në letër – duke e telefonuar linjën telefonike 119, por edhe ajo jo nëpërmjet një mjeku të përgjithshëm. Që të dyja format do të jenë në dispozicion nga e hëna, kur masat e zbatuara për udhëtime jashtë vendit të hiqen.

Aplikacioni i NHS-së është i ndarë nga aplikacioni për COVID-19 i NHS-së, i cili tashmë përdoret për gjurmimin e rasteve të kontaktit.

Njerëzit tashmë mund ta përdorin aplikacionin për të kërkuar udhëzime, për të caktuar termin te mjeku dhe për të pasur qasje në të dhënat mjekësore.

Ky aplikacion, gjithashtu, mund të tregojë edhe statuset e vaksinimit, përfshirë edhe për koronavirus, por tashmë kjo karakteristikë duhet të aktivizohet nga një mjek para se të paraqitet në aplikacion. Përditësimi i ri do të përmbajë një pjesë të ndarë, ku do të paraqiten të dhënat e vaksinës së koronavirusit, kështu që Qeveria ka bërë të ditur se nuk do të ketë nevojë që të kontaktohet mjeku.

Aplikacioni nuk do t’i shfaqë rezultatet e testit të koronavirusit, por NHS-ja planifikon që t’ia bashkojë edhe këtë karakteristikë, është bërë e ditur në ueb-faqen e Qeverisë.

Njerëzit janë këshilluar që të regjistrohen për ta përdorur aplikacionin, të paktën dy javë para se të udhëtojnë. Dokumenti fizik mund të kërkohet së paku pesë ditë pas dozës së dytë të vaksinës dhe do ta pranoni pas pesë ditësh.

Testi para nisjes

“Tani, pak vende po e pranojnë dëshminë e vaksinimi”, ka paralajmëruar qeveria. “Kështu që hë për hë, shumica e njerëzve do të kenë nevojë që t’u përmbahen rregullave të tjera, kur udhëtojnë jashtë vendi – siç është bërja e një testi para nisjes”.

Qeveria ka publikuar 12 vendet, në të cilat anglezët mund të shkojnë, pa pasur nevojë që të izolohen kur të kthehen në shtëpi. Por, jo në të gjitha këto vende lejohen turistët britanikë.

Për shembull, udhëtimi për në Portugali dhe në Azore lejohet vetëm për arsye të forta. Lista do të rishikohet çdo tri javë. Vendet mund të shtohen apo të fshihen me një njoftim të shkurtër.

Më në fund po bëhet më e qartë se si qeveria po planifikon ta përdorë aplikacionin e NHS-së si pasaportë të vaksinës. Ishte supozuar se do të varej nga vullneti i mjekëve për t’i ndarë të dhënat e pacientëve me aplikacionin.

“Më ishte dashur të shkoja me telefon te mjeku për shkak se asnjëra prej vaksinave nuk po shfaqej në aplikacion. Por, këtë mëngjes një zëdhënëse e Departamentit të Shëndeti më ka thënë se NHS X – divizioni digjital i shërbimit shëndetësor – e ka rirregulluar aplikacionin në mënyrë që më nuk do të ketë nevojë për mjekë, për t’i marrë të dhënat”, kanë komentuar qytetarët.

Përditësimi i ri nuk do të funksionojë deri më 17 maj dhe do të sigurojë një faqe të re, ku do të paraqiten të dhënat e vaksinimit. Ideja është që kjo është krejt çfarë duhet të tregoni dhe të dhënat e tjera të ndjeshme nuk do të mund të shihen. Sidoqoftë, ajo që nuk është e qartë është nëse kjo zgjidhje do të jetë e pranueshme nga linjat e huaja ajrore dhe nga policia kufitare.

Destinacionet për pushime

Edhe udhëtarët do të duhet ta bëjnë testin e koronavirusit para se të rikthehen në Angli dhe pas arritjes. Disa vende mund të kërkojnë testime para hyrjes në destinacionin e synuar për pushime.

Zyrtarët evropianë kanë zbardhur planet për një “Certifikatë të Gjelbër Digjitale” brenda Bashkimit Evropian. Kjo do t’ua mundësonte të gjithë të vaksinuarve kundër COVID-19, atyre që kanë rezultuar negativ apo janë shëruar së fundmi nga virusi, që të udhëtojnë brenda bllokut. Zyrtarët shpresojnë se certifikata do të jetë gati para verës. Shumë kompani kanë qenë duke punuar në aplikacione në mënyrë që të lehtësohet udhëtimi, përfshirë edhe grupin tregtar Asociacioni Ndërkombëtar i Transportit Ajror, që është duke e testuar “Travel Pass”.

Është thënë se ka pasur diskutime me qeverinë për t’u siguruar se gjatë kalimit të kufirit pasagjerëve mund t’u lexohen të dhënat nga aplikacioni i NHS-së.

“Kemi vullnetin që të ecim tutje dhe më shpejt tani që Sekretari Shtetëror ka konfirmuar se udhëtarët do të kenë qasje në statusin e tyre të vaksinimit nga 17 maji”, ka bërë të ditur një zëdhënës. “Në tërë botën, ekzistojnë më shumë se 20 shtete që ose po e lehtësojnë procesin e testimit ose kërkesat për izolim për udhëtarët e vaksinuar, kështu që Mbretëria e Bashkuar duhet të veprojë shpejt, nëse do që të mos mbesë prapa vendeve të tjera, ashtu që ta përkrahë mundësinë e shtetasve të saj për të udhëtuar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat