Një përditësim i brendshëm në sistemet e kompanisë Apple shkaktoi ndërprerje të shumta në shërbimet e saj online të martën, duke prekur miliona përdorues. Problemet përfshinë App Store, Apple Music dhe AppleCare, ndërsa vështirësi u raportuan edhe në shërbimin e identifikimit në iCloud.
Kompania amerikane konfirmoi problemet përmes faqes së saj zyrtare të statusit të sistemeve, duke bërë të ditur se disa prej shërbimeve kishin pësuar ndërprerje të plota, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".
Ndërkohë, faqja Downdetector, e cila monitoron problemet me shërbimet online, regjistroi një rritje të ankesave të përdoruesve edhe për Apple Pay.
“Shumë prej sistemeve tona janë rikthyer në funksion pas një përditësimi të brendshëm që shkaktoi disa ndërprerje këtë mëngjes. Po punojmë për t'i rikthyer sa më shpejt në funksion edhe sistemet e mbetura”, deklaroi Apple në një përgjigje me email.
Më vonë, faqja e statusit të kompanisë tregoi se shërbimet e saj ishin rikthyer në funksion dhe nuk kishte më ndërprerje të raportuara.
Probleme teknike u raportuan edhe te Marriott International, operatori më i madh hotelier në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përdorues të shumtë shkruan në platformën Reddit për vështirësi në qasjen në shërbimet online të kompanisë, ndërsa edhe Downdetector evidentoi ndërprerje.
Në një deklaratë, Marriott konfirmoi se kishte zgjidhur një problem teknik që kishte prekur procesin e identifikimit në faqen Marriott.com dhe aplikacionin Marriott Bonvoy.
Kompania theksoi se nga shqyrtimi i brendshëm nuk kishte rezultuar asnjë shenjë që problemi të kishte lidhje me sigurinë kibernetike.
Një valë ndërprerjesh prek kompanitë e mëdha
Problemet e fundit janë pjesë e një serie ndërprerjesh teknologjike që kanë prekur kompani dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare gjatë ditëve të fundit.
Të hënën, një defekt në sistemin e kompanisë ajrore United Airlines zgjati më shumë se 90 minuta, duke detyruar transportuesin të shtynte nisjen e fluturimeve.
Problemi u shfaq vetëm pak ditë pasi një mosfunksionim në rrjetin e Administratës Federale të Aviacionit në SHBA (FAA) shkaktoi pezullimin e përkohshëm të fluturimeve në shkallë kombëtare. Si pasojë, qindra fluturime u vonuan dhe qindra mijëra udhëtarë mbetën të bllokuar në aeroporte në të gjithë vendin.
United Airlines, me seli në Çikago, deklaroi se nuk kishte asnjë tregues që ndërprerja e sistemeve të saj të kishte ardhur si pasojë e një sulmi kibernetik.
Probleme u raportuan të hënën edhe në sektorin bankar. Mijëra klientë të disa prej bankave më të mëdha amerikane dhe të shërbimit të transfertave të parave Zelle patën vështirësi në qasjen në llogaritë e tyre online.
Shkak për këtë situatë u bë një problem teknik në sistemet e JPMorgan Chase, i cili pati pasoja edhe në shërbime të tjera të sistemit financiar.
Banka Chase deklaroi se problemet nuk ishin shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik, ndërsa të martën konfirmoi se sistemet e saj po funksiononin normalisht.
Ndërkohë, javën e kaluar, një ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft shkaktoi probleme të mëdha në komunikimin elektronik dhe në mjetet e punës që përdoren nga kompani dhe institucione në mbarë botën.
Ndër shërbimet e prekura ishin Microsoft 365, përfshirë Outlook, Teams dhe asistentin me inteligjencë artificiale Copilot.
Gjiganti teknologjik deklaroi se nuk kishte asnjë tregues se ndërprerjet ishin shkaktuar nga veprime keqdashëse. Kompania sqaroi gjithashtu se problemi nuk kishte lidhje me ndonjë sulm kibernetik apo me agjentët e inteligjencës artificiale.
Seria e këtyre incidenteve ka rikthyer vëmendjen te varësia e madhe e kompanive dhe shërbimeve publike nga sistemet dixhitale, si dhe te pasojat që mund të shkaktojë edhe një defekt teknik në infrastrukturën teknologjike globale.