Gara e Azisë Qendrore për inteligjencën artificiale: ambicie të mëdha, rreziqe edhe më të mëdha

Teknologji

Gara e Azisë Qendrore për inteligjencën artificiale: ambicie të mëdha, rreziqe edhe më të mëdha

Nga: Rel Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 21:43
Vendet e Azisë Qendrore po planifikojnë investime miliardëshe në qendra të të dhënave, mes pikëpyetjeve për financimin dhe shqetësimeve se ato mund të rëndojnë rrjetet elektrike dhe të shtojnë kërkesën për ujë.

Qeveritë e vendeve të Azisë Qendrore po nxitojnë t’i bashkohen garës globale për inteligjencën artificiale (AI). Dhe po e bëjnë këtë me projekte miliardëshe.

Nvidia ka lidhur partneritet me kompaninë amerikane të infrastrukturës Firebird dhe me Kazakhtelecom për projektin Data Center Valley në Kazakistan, i cili po prezantohet si projekti më i madh i infrastrukturës për inteligjencën artificiale në Azinë Qendrore.

Uzbekistani ka ambicie të ngjashme në kuadër të strategjisë “Uzbekistani Digjital 2030”, duke ofruar lirim nga taksat dhe detyrimet doganore deri në vitin 2040 për investimet në qendra të të dhënave që plotësojnë kriteret. Në tetor, Taxhikistani njoftoi se planifikon të hapë një qendër rajonale inovacioni për inteligjencën artificiale, me mbështetjen e programit Global AI Nations të prodhuesit amerikan të çipave Nvidia.

Kritikët e këtyre planeve kanë ngritur shqetësime për financimin e pasigurt, varësinë nga energjia e prodhuar me qymyr në vende që tashmë përballen me mungesë të energjisë elektrike, si dhe mungesën e transparencës në një rajon që prej kohësh përballet me korrupsion.

Projekti 10 miliardë dollarësh i Kazakistanit dhe pikëpyetjet për financimin

Mbështetësit e Data Center Valley thonë se projekti, për fazën fillestare të të cilit është njoftuar një kosto prej 10 miliardë dollarësh, do ta kthejë Kazakistanin në një eksportues të madh të fuqisë kompjuterike për inteligjencën artificiale.

Kur vizitoi Astanën në tetor, drejtori i atëhershëm ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, tha se zgjerimi fillestar i projektit mund të arrijë në 1 gigavat (GW) kapacitet energjetik për serverët dhe pajisjet. Synimi afatgjatë është që ky kapacitet të arrijë deri në 5 GW.

Në një bisedë të transmetuar në televizion me zëvendëskryeministrin e Kazakistanit dhe ministrin e Inteligjencës Artificiale dhe Zhvillimit Digjital, Zhaslan Madiyev, Huang tha se vendi është në pozitë të favorshme për t’u bërë një aktor i rëndësishëm në industrinë globale të inteligjencës artificiale.

“Teksa pjesa tjetër e botës ende po vendos si të përfshihet dhe si të ndërtojë një ekonomi të bazuar në inteligjencën artificiale, ju këtu në Kazakistan tashmë po e bëni këtë”, tha Huang. “Kazakistani ka një përparësi themelore, sepse tashmë ka kaq shumë burime natyrore dhe kaq shumë energji. Në të ardhmen, krahas eksportit të energjisë, mund ta shndërroni atë në inteligjencë dhe të eksportoni inteligjencë”.

Marat Beksultanov, analist i të dhënave gjeohapësinore me bazë në Nju Jork, vuri në pikëpyetje financimin e Data Center Valley. Ai është drejtor ekzekutiv i GeoBox-it, kompani që analizon të dhënat satelitore dhe përdor teknologji të vrojtimit nga distanca, me fokus në menaxhimin e ujit dhe bujqësinë precize në Azinë Qendrore.

“Rreziku më i madh është se pjesa më e madhe e financimit vjen nga Qeveria e Kazakistanit”, tha Beksultanov. “Investimet private në këtë projekt janë fare të pakta, nëse ka të tilla. Qeveria po e financon projektin pa pasur ende zotimin e askujt për ta përdorur. Dhe këtu qëndron edhe çështja tjetër. Dimë shumë pak se kush do të jetë klienti i këtij projekti në fund”.

Gjatë vizitës në Kazakistan, Huang tha se vendi mund t’i shndërrojë burimet e tij energjetike në fuqi kompjuterike dhe ta eksportojë atë në tregjet evropiane. Data Center Valley ndodhet pranë termocentralit me qymyr Ekibastuz GRES-1.

Beksultanov tha se kjo afërsi mund të përbëjë problem. “Kompanitë evropiane janë klientët më pak të gatshëm të blejnë energji nga burime ndotëse. Shumë prej tyre duhet të raportojnë gjurmën e karbonit të shërbimeve që blejnë, përfshirë shërbimet kompjuterike në cloud. Një qendër të dhënash që furnizohet me energji nga termocentrali me qymyr në Ekibastuz e rrit atë gjurmë. Për t’ia shitur shërbimet Evropës, projektit i duhet energji e pastër, të cilën aktualisht nuk e ka”, tha drejtori i GeoBox-it.

Mbetet gjithashtu e paqartë nëse Kazakistani prodhon mjaftueshëm energji elektrike për të furnizuar qendra të mëdha të të dhënave. “Kazakistani sot nuk prodhon energji elektrike të mjaftueshme as për nevojat e veta. Në vitin 2025 prodhoi 123,1 miliardë kilovat-orë dhe konsumoi 124,6 miliardë. Diferenca u mbulua me importe nga Rusia”, tha Beksultanov.

Qeveria e Kazakistanit i ka premtuar Data Center Valley një tarifë të ulët dhe fikse për energjinë elektrike për 20 vjet, ndërsa bizneset vendore paguajnë dukshëm më shumë. Sipas kritikëve, shtimi i një konsumatori kaq të madh mund ta rëndojë më tej rrjetin elektrik dhe të rrisë rrezikun e ndërprerjeve të furnizimit në mbarë vendin.

Mbetet edhe çështja e transparencës. Kazakistani u rendit i 96-ti nga 182 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 të Transparency International.

“Publiku nuk i sheh dokumentet që përcaktojnë se kush paguan: kontratën për furnizimin me energji elektrike, marrëveshjen e qirasë me Firebird-in dhe dokumentet që tregojnë se si mbulohet ulja e tarifës së energjisë elektrike. Asnjë prej tyre nuk është publikuar”, tha Beksultanov.

“Thjesht një ushtrim për marrëdhënie me publikun”

Edhe vende të tjera të rajonit po zgjerojnë sektorin e inteligjencës artificiale.

DataVolt, kompani me bazë në Arabinë Saudite, po ndërton në Tashkent, kryeqytetin e Uzbekistanit, një qendër të të dhënave me kapacitet prej 12 megavatësh (MW) dhe me sistem ftohjeje me lëng. Kompania planifikon të investojë rreth 3 miliardë dollarë në fazat e mëvonshme, me mundësi që kapaciteti të arrijë deri në 500 MW. Qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale kanë nevojë për sisteme të fuqishme ftohjeje, sepse çipat që përdorin prodhojnë shumë nxehtësi. DataVolt synon të tërheqë kompani të mëdha teknologjike si Google, Microsoft, Meta dhe Amazon.

Kirgistani po përpiqet të tërheqë kompani kineze, përfshirë Inspur, Huawei dhe ZTE. StarOcean Investment nënshkroi së fundi një marrëveshje për ndërtimin e një parku industrial me konsum të lartë energjie në një sipërfaqe prej 200 hektarësh brenda Zonës së Lirë Ekonomike të Narynit, në pjesën qendrore të Kirgistanit. Parku do të shërbejë për qendra të të dhënave dhe kapacitete kompjuterike për inteligjencën artificiale.

Edhe Turkmenistani, me infrastrukturën e vjetruar të internetit dhe sistemin tejet autoritar, po synon të përfshihet në këtë garë.

Zëvendësministri i Energjisë, Serdar Saparov, tha së fundi se vendi po zhvillonte bisedime paraprake me kompani ndërkombëtare për qendra të të dhënave. Edhe Bitdeer Technologies Group, kompani me bazë në Singapor, ka paraqitur një propozim për t’i shfrytëzuar burimet energjetike të Turkmenistanit për të krijuar kapacitete kompjuterike, përfshirë përpunimin e të dhënave për inteligjencën artificiale.

Një ish-zyrtar i Qeverisë së Turkmenistanit, i njohur me projektet energjetike të vendit, i cilësoi njoftimet e autoriteteve në Ashgabat për qendrat e të dhënave si “thjesht një ushtrim për marrëdhënie me publikun”, të nxitur pjesërisht nga rivaliteti rajonal. Ai foli për Shërbimin e Turkmenistanit të Radios Evropa e Lirë (REL) në kushte anonimiteti për shkak të rreziqeve për sigurinë e tij.

“Nëse vendet fqinje e kanë tashmë diçka, ne nuk duhet të mbetemi prapa. Edhe nëse gjithçka mbetet vetëm në fjalë”, tha ish-zyrtari.

Ai vuri në pikëpyetje edhe nëse Turkmenistani ka infrastrukturën e nevojshme për qendra të tilla. “Temperaturat e larta gjatë pjesës më të madhe të vitit do t’i rrisnin ndjeshëm kostot e funksionimit për shkak të nevojës për ftohje”, tha ai, duke shtuar se ka teknologji që kursejnë ujin, por ato e bëjnë më të kushtueshëm funksionimin e qendrave të të dhënave.

Ish-zyrtari paralajmëroi se rrjetet elektrike të Turkmenistanit po degradojnë dhe do të kërkonin “investime të mëdha”. Ai përmendi një ndërprerje të fundit të furnizimit me energji elektrike që preku rajonin.

Shqetësimet për përdorimin e ujit

Në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, qendrat e të dhënave tashmë po përballen me kundërshtim në rritje nga publiku dhe me kufizime më të rrepta për shkak të rritjes së ndjeshme të faturave të energjisë elektrike, ngarkesës mbi rrjetet elektrike dhe konsumit të lartë të ujit.

Në një dokument të fundit me rekomandime për politikat publike, Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) paralajmëron se Azia Qendrore rrezikon të përballet me të njëjtat probleme. Qendrat e të dhënave konsumojnë sasi të mëdha të energjisë elektrike dhe të ujit në një rajon që tashmë përballet me mungesë uji.

Kërkesa e këtyre qendrave për ujë mund të shtojë trysninë mbi burimet që përdorin familjet, fermat dhe prodhuesit e energjisë. Vendeve të Azisë Qendrore u mungojnë gjithashtu rregulla gjithëpërfshirëse që t’i detyrojnë operatorët e qendrave të të dhënave të raportojnë sa ujë konsumojnë.

UNECE u rekomandon qeverive t’u kërkojnë operatorëve të bëjnë publik konsumin e ujit, të marrin parasysh mungesën e ujit në nivel lokal kur miratojnë vendndodhjet e qendrave dhe t’u japin përparësi burimeve të ripërtëritshme të energjisë që kërkojnë pak ujë, si energjia diellore dhe ajo e erës.

Në një përgjigje me shkrim për REL-in, Komisioni tha se nuk do t’i komentonte “vendimet e shteteve anëtare për politikat e tyre”.

Megjithatë, ai vuri në dukje se disa vende të Azisë Qendrore janë palë në konventat e tij mjedisore për bashkëpunimin në fushën e ujërave, pjesëmarrjen e publikut, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe parandalimin e aksidenteve industriale. Disa dispozita të këtyre konventave, shtoi Komisioni, “mund të zbatohen për disa prej këtyre projekteve, nëse ato realizohen”.

Për Beksultanovin, pyetja kryesore mbetet nëse qeveritë e Azisë Qendrore po i peshojnë këto kosto afatgjata para se të shpenzojnë miliarda.

“Azia Qendrore ka kushte të favorshme për t’u bërë një Rrugë Digjitale e Mëndafshit, por duhet të ruajë ekuilibrin mes ambicies dhe realitetit”, tha ai. “Tani për tani po shpenzohen para publike pa asnjë zotim nga sektori privat. Në thelb, është ajo qasja e vjetër: ‘Ndërtoje dhe klientët do të vijnë’. Po nëse nuk vijnë? Çfarë do të ndodhë atëherë?”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat