Krijohet “syri i tretë” për të fiksuarit pas telefonave të mençur

Teknologji

Krijohet “syri i tretë” për të fiksuarit pas telefonave të mençur

Më: 4 qershor 2021 Në ora: 23:05
Paeng Min-wook

Një dizajner industrial i Koresë Jugore ka dalë me një zgjidhje satirike për njerëzit e fiksuar ndaj telefonave të mençur, të cilët nuk mund t’i largojnë sytë nga ekrani i tyre.

Paeng Min-wook, 28-vjeçar, ka krijuar një sy robotik të cilin e ka quajtur “syri i tretë”, e të cilin, të obsesionuarit pas telefonit, do të mund ta vendosin në ball, dhe derisa ecin nëpër rrugë e shikojnë në ekranin e telefonit të tyre, të mund të shohin rrugën përpara përmes tij.

Pajisja, që është pjesë e një projekti të Paeng, të quajtur “Fono sapiens” hap qepallën kurdo që vëren se përdoruesi është duke mbajtur kokën poshtë për të shikuar në telefon. Kur përdoruesi afrohet 1-2 metër afër ndonjë objekti apo pengese, ajo lëshon një tingull për të paralajmëruar për rrezikun.

“Kjo është pamja e njerëzimit të së ardhmes, me tre sy”, ka thënë Paeng, i diplomuar në inxhenieri të dizajnit të inovacionit.

Sipas tij, derisa njerëzit nuk mund t’i heqin sytë nga telefonat e tyre, një sy i tretë do të jetë shumë i nevojshëm në të ardhmen e afërt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat