Pushime nga puna të punonjësve të zyrave, ndërsa rriten nevoja për punëtorët e krahut

Teknologji

Pushime nga puna të punonjësve të zyrave, ndërsa rriten nevoja për punëtorët e krahut

Më: 12 mars 2023 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

Kompanitë e mëdha teknologjike pushuan dhjetëra mijëra njerëz nga puna gjatë muajve të fundit pasi gjigantët Google, Amazon, Meta dhe Microsoft kanë reduktuar fuqinë e tyre punëtore. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Keith Kocinski, ndërsa po shkurtohen vendet e punës për ata që punojnë në zyra, në sektorë të tjerë, nevojat për punëtorë krahu vazhdojnë të jenë të larta.

Njëzet e nëntë vjeçari Alec Antignani hoqi dorë nga karriera e tij në sektorin e financave për të punuar në biznesin familjar si hidraulik, në Brooklyn të Nju Jorkut. Ai thotë se viti 2022 ishte një vit shumë i mirë financiarisht dhe ai pret rritje të mëtejshme në 2023.

Jam duke kërkuar më shumë punëtorë. Unë intervistoj kandidatë për punë një herë në javë. Çdo të mërkurë bëjmë intervista”, thotë Alec Antignani, pronar i kompanisë “Philco Plumbing”.

Ndërsa ekonomia ka nevoja për punëtorë krahu, kompanitë e mëdha … veçanërisht ato të teknologjisë, që ishte zgjeruar ndjeshëm gjatë pandemisë Covid-19, sot po pushojnë punonjës.

Në janar, Google shkurtoi 12 mijë vende pune, Meta shkurtoi rreth 11 mijë në nëntor, ndërsa Microsofti shkurtoi 10 mijë vende pune në mars.

Ajo që po përjetojmë tani është heqja e tepricës pasi kompanitë punësuan së tepërmi. Pra, në vend të zvogëlimit, një gjë që pritet të bëhet nga kompanitë gjatë kohërave të vështira, ato po riogranizohen në pritje të asaj që do të vijë”, thotë Giacomo Santangelo, pedagog i lartë i ekonomisë në Universitetin Fordham.

Disa ekspertë thonë se ajo që pritet të ndodhë është një “recesion jetëshkurtër”. Por sektorë të ndryshëm të ekonomisë do të preken në forma të ndryshme.

Njerëzit do ta përjetojnë ekonominë në mënyra të ndryshme. Punëtorët e zyrave mund të përfshihen në një recesion që nuk do të ndjehet nga punonëtorët e krahut”, tha Giacomo Santangelo nga Universiteti Fordham.

Shkak për këtë është mungesa e punëtorëve në tregun e punëve fizike, e cila ka nxitur edhe rritjen e pagave.

Për sa kohë që ka mungesë të punëtorëve, ne duhet të presim rritje të pagave”, tha zoti Santangelo.

Largimi nga puna i punonjësve të zyrave vjen pjesërisht si rezultat i ndryshimeve kulturore, thonë ekspertët.

Unë mendoj se problemi me të cilin përballemi është zakoni se duhet patjetër të shkosh në Universitet në vend që të thuash se është e rëndësishme të mësosh një profesion”, tha pedagogu i lartë i ekonomisë tek Universiteti Fordham.

Ata që merren me zeje të ndryshme shqetësohen për jetëgjatësinë e profesioneve të tyre dhe thonë se duhet të përshtaten.

Nëse industria jonë nuk zhvillon më shumë teknologji, të rinjtë nuk do të duan të jenë pjesë e saj pasi brezi ynë udhëhiqet nga teknologjia”, tha pronari i kompanisë hidraulike “Philco Plumbing”, Alec Antignani.

Ekspertët thonë se kërkesa për punëtorë krahu dhe rritja e pagave të tyre mund të bjerë për shkak të ngadalësimit ekonomik, ndërsa kompanitë më të vogla të teknologjisë mund të përfitojnë nga punonjësit e kualifikuar që humbasin vendet e tyre të punës tek kompanitë e mëdha të teknologjisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat