​Toka ka një "mini-hënë" të re të përkohshme

Teknologji

​Toka ka një "mini-hënë" të re të përkohshme

Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 19:46
Ilustrim

Planeti ynë aktualisht ka një hënë të dytë, pasi graviteti e kapi një asteroid të vogël në muajin prill. "Mini-hëna" e përkohshme, me diametër rreth dy metra, do të qëndrojë pranë nesh deri në fillim të dhjetorit. Ai më pas, pritet të largohet nga sfera e ndikimit të Tokës dhe të vazhdojë rrugëtimin rreth Diellit.

Objekti është aq i vogël dhe i zbehtë, saqë astronomëve u deshën disa javë për të konfirmuar se nuk bëhej fjalë për satelit të vjetër apo ndonjë fragment të tillë.

Qendra për Planetët e Vegjël pranë Bashkimit Astronomik Ndërkombëtar e pagëzoi këtë vizitor të ri me emrin 2026 QQ8 në fund të tetorit.

Ndonëse "mini-hënë" nuk është një term zyrtar, astronomët e kanë përdorur më parë këtë emërtim për të përshkruar disa objekte natyrore. Ndër to përfshihen 2006 RH120, i cili qëndroi në orbitën e Tokës rreth një vit, dhe 2020 CD3, i cili orbitoi planetin tonë për rreth tre vjet.

Matthew Payne, drejtor i Qendrës për Planetët e Vegjël, tregon se lista e këtyre vizitorëve është e shkurtër, pasi ata kalojnë pranë Tokës pa u vënë re për shkak të shpejtësisë së madhe.

“Ata qëndrojnë disa javë ose muaj. Ndonjëherë nuk ka asnjë, ndonjëherë ka një ose dy. Shpesh ata ndodhen paksa larg dhe lëvizin me shpejtësi të madhe. Këta dy faktorë e bëjnë shumë të vështirë zbulimin e tyre përmes vëzhgimeve aktuale”.

“Mini-hëna” aktuale e Tokës është trup natyror që vjen nga brezi i asteroideve, një rajon midis orbitave të Marsit dhe Jupiterit.

Gjatë miliona viteve, forcat e gravitetit mund t'i zhvendosin orbitat e disa prej këtyre objekteve drejt pjesës së brendshme të sistemit diellor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat