Mësohet e vërteta e sanimit të rrugës në Tetovë që u bë virale në internet

Tetova

Mësohet e vërteta e sanimit të rrugës në Tetovë që u bë virale në internet

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 12:04
Foto ilustrim

Kame Baçevski – edhe pse në moshën 68-vjeçare dhe me shëndet të rënduar, gjatë fundjavës me vetiniciativë e ka sanuar rrugën “Goce Dellçev”, njërën nga më të shkatërruarat në Tetovë, ndërsa pamjet e sanimit të rrugës u përhapën me të madhe në internet.

Ai thotë se iniciativën për t’i mbushur gropat në këtë rrugë, e ka marrë për shkak të bezdisjes dhe se çdo ditë ka parë se si shkatërrohen makina.

“Me vite presim që komuna ta rregullojë këtë rrugë. E gjitha është e mbuluar me gropa, prej të cilave shumica janë të shumë të mëdha. Njerëzit i shkatërruan makinat, ndërsa edhe këmbësorët lëvizin me vështirësi. Duhet të kesh kujdes, pasi mund edhe të lëndohesh”, i tha Kame Baçevski portalit tetovoinfo.

Ai tha se ideja për t’i mbushur gropat, i ka ardhur pasi posedon kamion të vogël, duke shtuar se ka mbushur gropa në rrugë me 500 metra gjatësi.

“Materialin ma ka dhënë një kompani ndërtimore e cila punon rregullimin e rrugëve tek kazerma. Atje punohet dhe riparojnë rrugë. E pyeta dhe pas marrëveshjes kam marrë mbetjet nga asfalti me kamionin tim dhe me ndihmën e disa vullnetarëve i kemi sjellë në rrugën tonë”.

“Më kanë uruar njerëzit, por edhe taksistët pasi nuk do t’i shkatërrojnë makinat e tyre. Pasi përfunduam, më kanë ftuar edhe për punë për të bartur mobilje me kamionin tim”, tha ai.

Ndryshe, rruga “Goce Dellçev” e cila është e gjatë 1000 metra dhe i lidh lagjet e pjesës së vjetër të qytetit, është në gjendje mjaft të rëndë. Ndërsa pasi u përhapën pamjet e sanimit nga Kame Baçevski, ka pasur akuza dhe ironizime të shumta në drejtim të Komunës së Tetovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat