Komuna e Tetovës: Jemi të përgatitur për situata të jashtëzakonshme, në bashkëpunim me institucionet tjera

Tetova

Komuna e Tetovës: Jemi të përgatitur për situata të jashtëzakonshme, në bashkëpunim me institucionet tjera

Më: 4 mars 2022 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Komuna e Tetovës siguron se është e përgatitur në rast të nevojës për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike dhe të sigurisë për qytetarët.

E pyetur nga Telegrafi Maqedoni, thonë se bazuar në kompetencat e tyre ligjore, sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, Komuna e Tetovës përpilon planin për mbrojtje dhe shpëtim, dhe në bazë të nevojës bënë përditësimin e të dhënave.

“Institucionet si Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është drejtori që në nivel republikan rregullon çështjet e mbrojtjes dhe shpëtimit me përmasa më të mëdha apo të jashtëzakonshme, po ashtu edhe Qendra për menaxhim me kriza. Të dyja këto institucione kanë njësi lokale në Tetovë”.

“Sa i përket çështjes së strehimoreve, në territorin e komunës sonë ekzistojnë 3 strehimore të mëdha të cilat i menaxhon Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, dhe ka 100 strehimore tjera në nivel të ndërtesave të banimit për të cilat janë përgjegjës këshilli banesor i të njëjtave”, thonë nga Komuna e Tetovës për Telegrafi Maqedoni

Ndërsa në lidhje me alarmimin e qytetarëve, në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, thonë se e bën Qendra për Menaxhim me Kriza.

“Numri me të cilin përcjellet ndonjë gjendje e krijuar alarmante që është në shërbim për qytetarët është 112”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, ditëve të fundit qytetarët e Maqedonisë së Veriut nën panik kanë vërshuar shitoret dhe pompat e benzinës, duke dashur të sigurojnë jetën e tyre në rast të eskalimit të situatës. Por, institucionet shtetërore vazhdimisht kanë bërë thirrje për qetësim dhe kanë siguruar se rezervat shtetërore janë të qëndrueshme.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat