Për vetëm një muaj, 99 aksidente trafiku në Tetovë

Tetova

Për vetëm një muaj, 99 aksidente trafiku në Tetovë

Më: 16 gusht 2022 Në ora: 21:24
Foto ilustrim

Edhe pse statistikat tregojnë se për 20 për qind ka më pak aksidente gjatë muajit korrik të këtij viti krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, megjithatë këtë vit një aksident trafiku është regjistruar si tragjike, ku ka patur edhe viktima. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, bëjnë të ditur se nëse në muajin korrik të vitit 2021 kanë ndodhur 124 aksidente trafiku, gjatë muajit korrik të këtij viti kanë ndodhur 99 aksidente trafiku. Krahas kësaj, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe, numri i përgjithshëm i të lënduarve gjithashtu ka rënë dukshëm nga 129 vitin e kaluar në 69 këtë vit, si dhe janë ulur edhe dëmet materiale, ndërsa vetëm një nga aksidentet ka përfunduar me pasoja tragjike, bëjnë të ditur nga policia e Tetovës.

“Numri më i madh i aksidenteve në trafik në muajin korrik respektivisht 49 kanë ndodhur në rrugët e Tetovës dhe autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup apo 29. Shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve gjatë këtij muaji kanë qenë veprimet në rrugë 39 dhe shpejtësia e papërshtatur sipas kushteve të rrugës, gjegjësisht shpejtësia e tejkaluar ose 31. Më së shumti aksidente janë regjistruar në vendbanim 80 , dhe më së shumti kanë ndodhur pasdite, prej orës 16 deri në 20:00”, njoftoi Fatmir Rexhepi zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Por edhe përskaj shifrave, megjithatë nga policia e Tetovës kërkojnë që drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat dhe shenjat komunikacionit. “Përkundër uljes së ndjeshme të aksidenteve në komunikacion në muajin korrik, SPB Tetovë sërish apelon tek drejtuesit e mjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit, rregullat dhe rregulloret që rregullojnë shpejtësinë e lëvizjes brenda dhe jashtë vendbanimit, si dhe të drejtën e përparësisë së kalimit parakalimin dhe mbajtjen e distancës. Duke vepruar kështu, ata do të kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë të trafikut”, pohon zëdhënësi Rexhepi.

Në ndërkohë, nga policia thonë se akoma në rrugët e Tetovës ka drejtues të automjeteve që lëvizin me shpejtësi më të madhe se e lejuara, dhe kjo është konstatuar në aksionin e ditës së diel të kontrollit ku janë zbuluar dhe sanksionuar gjithsej 119 tejkalime të shpejtësisë maksimale të lejuar në zonën më të gjerë të Tetovës, ku sipas policisë pesë drejtues të automjeteve kanë qenë me shpejtësi mbi 70 kilometra në orë se sa shpejtësia e lejuar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat