SPB Tetovë për shtatë muaj ka hasur në 1452 shoferë pa leje për vozitje

Tetova

SPB Tetovë për shtatë muaj ka hasur në 1452 shoferë pa leje për vozitje

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 19:23
Tetova

Krahas shumë dukurive negative në rrugët e Tetovës nga ana e drejtuesve të automjeteve, është mëse evidente edhe pjesëmarrja e atyre që pa patentë shoferi drejtojnë makina. Edhe përkundër shumë apeleve të policisë, që qytetarët të jenë më të ndërgjegjshëm dhe fëmijëve të tyre mos ua japin automjetin pa marrë lejen e vozitjes megjithatë këta thirrje gjithnjë hasin në vesh të shurdhër. Nga Policia e Tetovës bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve të ndryshme në komunikacion shpesh herë hasin në persona që drejtojnë automjetet pa leje për vozitje në rajonin e Pollogut.

“Sektori për Punëve të Brendshme në Tetovë, krahas aktiviteteve tjera gjatë kësaj vere po ndërmerr masa intensive për zbulimin dhe sanksionimin e personave që drejtojnë automjete pa dhënien e testit për shofer dhe patentë të vlefshme për këtë. Vetëm gjatë ditës së martë (16 gusht) janë sanksionuar 7 persona të tillë në rajonin e Tetovës dhe një person përkatësisht shofer në rajonin e Gostivarit”, thotë zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi. Nga policia e Tetovës kanë bërë të ditur se brenda shtatë muajve të këtij viti, në rajonin e Pollogut janë hasur 1452 persona që kanë drejtuar automjetet pa leje për vozitje. Bëhet e ditur se policia përveç që ka shqiptuar dënime për këta persona, poashtu ka dënuar edhe pronarët. “Përndryshe, për shtatë muajt e këtij viti janë regjistruar gjithsej 1038 persona në Tetovë dhe 414 në Gostivar me shkelje të tillë. Të gjithë ata janë përjashtuar nga qarkullimi dhe janë përgatitur parashtresat përkatëse për ta, si dhe për pronarët e automjeteve që u kanë dhënë për të vozitur, edhe pse e kanë ditur se nuk kanë patentë shofer”, njofton zëdhënësi SPB-së në Tetovë Fatmir Rexhepi.

Apelohet deri tek të rinjtë që të mos dalin në rrugë me makina pa dhënë lejen e shoferit, ndërsa prindërve u rekomandohet që të mos ua japin automjetet e tyre fëmijëve të tyre pa leje adekuate, sepse rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve.

“Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë edhe një herë apelon, sidomos te të rinjtë, që të mos drejtojnë automjetet e tyre pa ndjekur paraprakisht trajnimet juridike dhe praktike të parapara me ligj dhe pa e kaluar testin për shofer, sepse në atë mënyrë ata vënë në pikëpyetje, para së gjithash, sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion, pa marrë parasysh nëse është automjet, kamion, motoçikletë apo mjet tjetër”, apelojnë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Gjobat për këtë lloj kundërvajtje në komunikacion sipas policisë janë 250 euro në kundërvlerë në denarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat