Reagon Komuna e Tetovës: Stadiumi i qytetit të përdoret vetëm për ndeshjet e futbollit në Ligën e Parë

Tetova

Reagon Komuna e Tetovës: Stadiumi i qytetit të përdoret vetëm për ndeshjet e futbollit në Ligën e Parë

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

Komuna e Tetovës ka dërguar një reagim pas njoftimit të djeshëm të KF Teteks, prej ku theksuan se atyre nuk u lejohet shfrytëzimi i dy stadiumeve të futbollit si dhe mungesën e rezultateve nga përpjekjet disamujore të pasuksesshme për arritjen e marrëveshjes me komunën.

Në Komunën e Tetovës mendojnë se deri më tani kanë pasur marrëdhënie korrekte me klubet dhe reagimi i tyre mediatik ka qenë i panevojshëm. Ata kanë një kusht për shfrytëzimin e stadiumit – kur klubet do të jenë në Ligën e Parë.

“Komuna e Tetovës përherë ka vepruar me transparencë dhe përgjegjësi kur kanë qenë në pyetje çështje të bashkëjetesës në mes komuniteteve. Në këtë drejtim, veprimi i dy klubeve futbollistike në lidhje me shfrytëzimin e terreneve sportive në qytetin tonë është një shkelje e qartë e kësaj tradite të transparencës dhe përgjegjësisë. Reagimi i tyre i fundit ishte tërësisht i panevojshëm dhe i paqëndrueshëm. Ka pasur një takim me përfaqësues të klubeve dhe është arritur një konsensus i qartë”.

“Stadiumi i qytetit duhet të përdoret vetëm për ndeshjet e futbollit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut dhe ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, por edhe për ndeshjet me rëndësi të veçantë, si gjysmëfinalet dhe finalet e Kupës së Maqedonisë. Nga ky aspekt, komuna e Tetovës është e vendosur të garantojë që ky stadium të pajiset me të gjitha kushtet dhe standardet e nevojshme, si një objekt modern dhe funksional që do të plotësojë të gjitha kërkesat e një arene të nivelit të lartë sportiv në qytetin tonë”, thuhet në kumtesën e Komunës së Tetovës.

Nga Komuna thonë se për të gjitha klubet që nuk janë në Ligën e Parë do të rregullohen fusha të tjera.

“Për skuadrat që performojnë në ligat e ulëta, komuna ka një qëndrim të qartë: do të rregullohen fusha të tjera të pajisura me të gjitha kushtet e nevojshme për gara sportive. Kështu një fushë do të ndërtohet pranë Qendrës Sportive në qytet dhe një tjetër në fshatin Saraqinë. Të dy terrenet do të pajisen me infrastrukturën e nevojshme, duke përfshirë dhomë zhveshjeje për ekipet dhe zyra për klubet. Me këto hapa, Komuna e Tetovës konfirmon përkushtimin e saj për promovimin e sportit në nivel të lartë, transparencë dhe drejtësi për të gjitha komunitetet që jetojnë në qytetin tonë”, thuhet në kumtesën e Komunës së Tetovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat