Ndryshimi i emrave në Tetovë, Kasami pret Kadastrën

Tetova

Ndryshimi i emrave në Tetovë, Kasami pret Kadastrën

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 10:06
Tetovë

Ndryshimi i emrave të rrugëve, urave, shesheve, bulevardeve dhe shkollave në Tetovë, ende nuk ka marrë rrugën e zgjidhjes institucionale. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami disa herë ka thënë se është duke pritur Kadastrën që të bëjë një studim se ku do të regjistrohen të gjitha rrugët, sepse sipas Kasami, ende ka rrugë që nuk janë të regjistruara në Tetovë.

“Në Tetovë kemi një projekt më të gjerë që të gjithë rrugët e Tetovës të emërohen. Edhe njëherë po e përsëris, fatkeqësisht këtu ne presim që një studim që duhet ta bëjë Kadastra e Maqedonisë, të cilin akoma nuk e kemi. Edhe më tutje ka plot rrugë në Tetovë , të cilët nuk janë të regjistruara dhe për të bërë emwrimin e tyre, që është obligim i Komunës, duhet të jenë të regjistruara dhe këtë regjistrim e bën Kadastra”, deklaroi Kasami.

Nga Kadastra e Maqedonisë së Veriut, deri më tani nuk janë prononcuar aspak në këtë drejtim, duke anashkaluar pyetjet e mediave dhe prononcimet e kryetarit të Komunës së Tetovës. Në këtë drejtim, kreu Kasami sërish është zotuar se nëse Kadastra nuk e bën regjistrimin e rrugëve, atëherë në buxhetin e vitit të ardhshëm do të parashihen mjete që komuna vet ta bëjë një akt të tillë, duke respektuar dispozitat ligjore.

“Nëse ata nuk e bëjnë këtë, do të na duhet së paku vitin e ardhshëm tw parashohim mjete në buxhet, sepse është një projekt që do të kushtojë dhe me këtë të bëjmë regjistrimin e rrugëve, pastaj me një vendim, duke respektuar të gjitha procedurat – të bëjmë emërtimin e rrugëve. Kjo do të jetë publike, transparente dhe do të konsultohen të gjitha shtresat e shoqërisë, tw gjithw individët qw do të jenë të interesuar, që të kemi një emërtim adekuat me realitetin e sotëm”, deklaroi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami./Koha.mk/

Ndërkaq, ende nuk dihet nëse për ndryshimin e emrave do të duhet të përdoret parimi i Badenterit në Këshillin e Komunës së Tetovë, pasi kryetari i Këshillit, Besar Durmishi insiston se me regjistrimin e fundit, maqedonasit në Tetovë përbëjnë rreth 18 për qind të popullatës dhe parimi i Badenterit nuk vlen. Por edhe përskaj kësaj, dy partitë maqedonase, OBRM-PDUKM dhe LSDM janë kundër, kurse si arsye e theksojnë se Komuna e Tetovës ka çështje më të rëndësishme për t’i zgjidhur. Nga Shoqata Joqeveritare e Akademikëve Shqiptarë që kanë punuar projektin për riemërimin e rrugëve dhe institucioneve në Tetovë, kohë më parë kanë thënë se kanë dorëzuar nismë dhe se ende po presin që Komuna të ndërmarrë hapa konkret.

Në Tetovë, ende ka shumë emra të rrugëve dhe shkollave që aspak nuk përkojnë me realitetin etnik, ku edhe pse shumica e banorëve janë shqiptarë, megjithatë ata përballen me emra që janë vendosur në kohën e sistemit komunist. Së fundmi, në Maqedoninë e Veriut janë shkaktuar tensione të mëdha shkaku se një rrugë në Çair të Shkupit, ka marrë emrin e veprimtarit kosovar Adem Demaçi. Madje, edhe pse atje, janë respektuar procedurat e nevojshme institucionale, megjithatë, kampi politik maqedonas nuk gjen qetësi duke mos pranuar realitetin se një rrugë në Shkup do të mbajë emrin e Demaçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat