Kryeministrja daneze pas Samitit të Tiranës: Të armatosemi të gjithë, nuk fitohet lufta pa…

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, në përfundim të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, dha një mesazh të qartë për nevojën e forcimit të mbrojtjes së Europës përballë pasigurive globale dhe lëkundjeve në aleancën transatlantike.
Frederiksen theksoi rëndësinë e angazhimit të shtuar në kuadër të NATO-s dhe nevojën që Europa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e vet.
“Jemi të dy anëtarë të NATO-s dhe do të marrim pjesë në Samitin e Hagës. Ne do të angazhohemi më shumë në NATO për të armatosur të gjithë aleancën në një afat të shkurtër kohe,” deklaroi ajo.
Kryeministrja daneze theksoi se është një mbështetëse e madhe e lidhjes transatlantike, por shprehu shqetësimin për pasiguritë që po sjellin zhvillimet politike në SHBA, sidomos në prag të zgjedhjeve atje.
“Jam shumë transatlantike, por me pasigurinë që po sjell SHBA-ja në tryezë, duhet që Europa të kujdeset për Europën,” shtoi Frederiksen.
Ajo e mbylli deklaratën e saj me një thirrje të drejtpërdrejtë për rritjen e kapaciteteve ushtarake të kontinentit: “Nuk mund të fitosh një luftë pa armë. Armatimi i Europës është një detyrë shumë e rëndësishme. Ky do të jetë përfundimi i Samitit të Hagës pas një muaji.”
Deklarata e saj vjen në një kohë kur diskutimet për mbrojtjen dhe sigurinë në Europë janë në qendër të vëmendjes, mes një konteksti të tensionuar ndërkombëtar dhe sfidave që lidhen me marrëdhëniet.