Covid-19 po na detyron që ta ri-mendojmë mënyrën e të bërit turizëm

Turizëm

Covid-19 po na detyron që ta ri-mendojmë mënyrën e të bërit turizëm

Nga: Marco D’Eramo Më: 5 prill 2021 Në ora: 16:53
Foto ilustruese

Si ta rinisim rritjen ekonomike globale të botës pa turizmin? Ky është problemi mbi të cilin po merren aktualisht vendimmarrësit e ekonomisë planetare. Sepse ishte pandemia, ajo që tregoi rolin vendimtar që ka ky sektor.

Dhe jo vetëm në vendet e varura shumë nga turizmi si Italia, Spanja apo Austria, që kontribuon deri në rreth 1/6 e PBB-së dhe punësimit. Turizmi është vendimtar për ekonominë globale. Pa turizëm, mbyllen hotelet, restorantet dhe në përgjithësi ndërpriten të gjitha aktivitetet që lidhen me mikpritjen.

Industria aeronautike zhduket, industria e makinave përgjysmohet, industria e ndërtimit të anijeve të lundrimit rrënohet, industria e ndërtimit merr një goditje të rëndë. Dhe këto rënie tërheqin poshtë me vete edhe industrinë e çelikut, çimentos dhe elektronikës.

Kur shkrova në librin “Il selfie del mondo” katër vjet më parë se turizmi është industria më e rëndësishme e shekullit, u sulmova si një mburravec që pretendon se po thotë gjëra të mëdha.

Tani pandemia e Covid-19 na ka treguar sesa thelbësore është kjo industri, e cila zakonisht trajtohet me përbuzje. Ne e nënvlerësojmë atë, pasi e ngatërrojmë turizmin me turistët, dhe turistët vështirë se mund të merren seriozisht.

Ata na duken qesharakë. Ne i trajtojmë gjithmonë ata me përbuzje,duke i fajësuar ata për dëmtimin e këtij sektori. Njëlloj sikur t’i fajësojmë punëtorët për helmimin e shkaktuar nga fabrikat. Por në fakt, ne të gjithë jemi turistë që përçmojmë turistët e tjerë.

Ky paradoks tregon se sa e pazgjidhshme është marrëdhënia jonë me këtë sektor, dhe sa sipërfaqësore është të mendojmë se mjafton një virus për të dekretuar zhdukjen e kësaj shpikjeje të modernitetit, e mbajtur në inkubator për një shekull e gjysmë, dhe që pati një lulëzim të paparë pas Luftës së Dytë Botërore.

Për të krijuar turizmin, u deshën 2 revolucione. Së pari, revolucioni teknologjik:ai i transportit dhe komunikimit, qëmundësoi udhëtimin e shpejtë dhe të lirë. Së dyti është revolucioni social, që krijoi udhëtarët. Dhe ky ishte rezultat i luftërave shumë të vështira dhe të pafundme për pushimet e paguara nga punëdhënësit.

Sepse që qeniet njerëzore të bëhen turistë, nuk mjafton që ata të kenë kohë të lirë. Për shembull të papunët kanë shumë kohë të lirë. Asnjëherë në historinë e njerëzimit para Bismarkut në Gjermani, dhe “New Deal” në Shtetet e Bashkuara dhe Fronti Popullor në Francë, një pjesë e madhe e popullsisë nuk kishte përfituar të ardhura gjatë periudhës që nuk ishte në punë, pra pushimet gjatë moshës së punës dhe përfitimet e pensionit më pas.

Sot të paktën 95 për qind e turistëve janë me pushime të paguara ose po gëzojnë pensionin.

Këto dy revolucione kanë transformuar jo vetëm jetën, por edhe kategoritë tona mendore.

Ata e bënë mundësinë e udhëtimit si gur-themelin e idesë sonë të lirisë.

Tani me pandeminë e Covid-19, ne ndiejmë se sa shumë na mungon të mos qenit në gjendje të ndryshojmë atmosferë, të mos qenit në gjendje të shkojmë diku tjetër (kudo qoftë). Vullneti për të udhëtuar është një shenjë e lirisë.

Para Covid-19 në Perëndim kjo gjë ishte e paperceptueshme. E megjithatë duhet ta kishim kuptuar, pasi në Gjermaninë Lindore ishte kërkesa për viza turistike, ajo që solli shembjen e Murit të Berlinit në vitin 1989. Ne nuk e kuptonim se nevoja për të lëvizur dhe eksperimentuar me horizonte të tjera, ishte kaq shumë politike.

Vetëm mbyllja e përsëritur dhe e zgjatur në kohë gjatë valëve të dyta dhe të treta të pandemisë, na bëri ta ndiejmë si njëlloj burgu pamundësinë e udhëtimit. Për herë të parë, ne po e vendosim veten në pozitën e dikurshme të gjermano-lindorëve. Ti pengosh qytetarët nga të qenit turistë do të thotë t’i privosh ata nga një element thelbësor i idesë së tyre mbi lirinë.

Por këtu biem në një kontradiktë të dytë (pas asaj të ne turistëve që përçmojmë turistët e tjerë):është e vërtetë që turizmi është një element i domosdoshëm i lirisë sonë, por ai është gjithashtu një industri dyfish ndotëse. Para së gjithash, sepse duke ushqyer industri të tjera turizmi qëndron pas të gjithë ndotjes që ata prodhojnë.

Dhe pastaj, sepse si një industri sociale, ajo prodhon “ndotje njerëzore” (zbrazje e qendrave urbane, shndërrimi i botës në një Disneyland të shkëlqyer, shëmtimi i ekosistemeve). Kjo është një kontradiktë e pariparueshme që na çon në vetëm një përfundim:koncepti ynë mbi lirinë është një ide që e konsumon botën.

Është e pashmangshme që një shoqëri e bazuar tek konsumi, duhet që ta ushtrojë këtë aktivitet në botën në të cilën jetojmë, pra duke konsumuar planetin. Kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë të bësh pa turizmin dhe të jetosh me të në të njëjtën kohë.

Është shumë e fortë nxitja për ta rihapur ekonominë si të mos kishte ndodhur asgjë. Në 2019,në atmosferën tonë kaluan mbi 69 milion fluturime avionësh. Ne e nënvlerësojmë aftësinë tonë për të harruar, gjë që e bën patetik iluzionin e përsëritur me mijëra herë se “asgjë nuk do të jetë më njëlloj”.

Në vitin 1918, njerëzit ishin të sigurt se ajo që sapo përfundoi ishte “lufta e fundit, që do t’i jepte fund të gjitha luftërave”. Pas krizës financiare të vitit 2008, shumë ekonomistë të njohur na siguruan se kapitalizmi nuk do të ishte më kurrë i njëjti.

Ndaj, na lejohet të dyshojmë ndaj thënies se pas kësaj pandemie “asgjë nuk do të jetë më njëlloj”. Edhe sepse larmia që qëndron përpara nesh nuk është shumë premtuese. Por sado që harresa njerëzore dëshiron që ta fillojë gjithçka nga e para, nuk do të jetë e lehtë t’ia fillojmë sërish sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe sa më pak e lehtë që do të jetë, aq më gjatë do të jetë gjendja e përjashtimit.

Sa më shumë muaj (ndoshta vite?) që do të zgjasë bllokada, sa më shumë biznese do të falimentojnë, aq më shumë zinxhirë furnizimi do të ndërpriten, aq më shumë zinxhirë furnizimi do të bllokohen, dhe aq më shumë punonjësit do të zhvendosen në sektorë të tjerë.

Mbi të gjitha, do të bjerë  besimi i investitorëve ndaj këtij sektori,dhe ka pak të ngjarë që ata të binden mbi një sektor që mbetet në mëshirën e një virusi. Ne nuk e dimë nëse do t’i japim fund së shpejti bllokimit këtu në Itali, dhe nëse do të fillojmë sërish të ndotim, apo nëse do të qëndrojmë në depresion dhe të burgosur edhe për ca kohë. Por është e sigurt se do t’i japim planetit një moment lehtësimi. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat