Në liqenin e Batllavës, qytetarët e vendit, nga sot e deri të dielën më 10 gusht do të mund të shijojnë Kayak Fest.
Në këtë festival do të ketë aktivitete të ndryshme duke përfshirë edhe ato për fëmijë, ku pjesëmarrësit do ta kenë edhe këndin e ushqimit dhe ndejës.
Fiona Xhema Troshupa nga Festivali Kayak, tha për KosovaPress se në edicionin e dytë pritet të ketë më shumë vizitorë.
Troshupa: Këtë vit presim më shumë vizitorë, do të ketë më shumë aktivitete
“Ky është edicioni i dytë që po mbahet, pak a shumë në të njëjtën kohë është mbajtur edhe vitin e kaluar. Këtë vit pritet të ketë shumë më shumë njerëz, ka më shumë aktivitete, angazhime, që secili ka me gjet veten diku. Kayak Fest prej fillimit dhe prej edicionit të parë e kemi thënë që është një festival që është i përshtatshëm duke filluar nga moshat e vogla e deri te moshat më të mëdha, për secilin do të ketë diçka, por kryesisht fokusi do të jenë aktivitetet për fëmijë. Do të ketë kajakim, gara të ndryshme, lojëra në ujë dhe ushtrime”, tha Troshupa.
Troshupa u shpreh se interesimi më i madh është nga shtetas të huaj në pjesën e kampingut.
Troshupa: Kemi vërejtur interesimin edhe të shtetasve të huaj
“Këtë vit sidomos e kemi vërejtur interesimin edhe të shtetasve të huaj që po vijnë edhe te pjesa e kampingut, ku është mundësia edhe për t’u vendosur në shator, të cilat pak a shumë janë të rezervuara, pothuajse të gjitha për shkak të rezervimeve të mëhershme, por, ka mundësi këtë vit edhe me kampistët personalë të vijnë, kështu që edhe ajo pjesë ka filluar të mbushet”, u shpreh ajo.
Përveç aktiviteteve, pjesëmarrësit do të mund të relaksohen gjatë natës edhe me muzikë e DJ.
Troshupa: Në mbrëmje, pas orës 20:00-22:00 ka me qenë pjesa e muzikës live
“Bina është edhe për muzikë live, që vitin e kaluar ka qenë me DJ, e këtë vit do të ketë tri net radhazi duke nisur prej sonte. Në mbrëmje, pas orës 20:00-22:00 do të jetë pjesa e muzikës live”, shtoi ajo.
Hyrja për të rriturit në Kayak Fest për tri ditë është 15 euro, ndërsa për fëmijë falas në hyrje apo online.