Si ta përgatisim sallatën ruse? - Bota Sot
Si ta përgatisim sallatën ruse?

Ushqime

Si ta përgatisim sallatën ruse?

Më: 31 dhjetor 2019 Në ora: 15:35
Ilustrim

Vështirë se gjen një familje shqiptare ku sallata ruse nuk është e preferuara në tryezat festive, ditëlindjeve apo edhe gëzimeve të tjera familjare.

Kush e ka provuar dhe nuk është mahnitur nga shija e saj.

E plotë, e pasuruar me perimet më të mira, pakëz të buta, e pakëz krokante. Të kombinuara mrekullisht me turshi e gogozhare.

Të zhytura në salcën kremoze të majonezës janë një specialitet që sigurisht pushton gjithë fantazinë e shijes.

Një sallatë fantastike që të magjeps me shijen e saj që në lugën e parë. E që shoqëron në mënyrë fantastike gatimet më të mira të servirura për t’u shijuar me më të dashurit në tryezën e ngrohtë familjare.

Por cila është historia e kësaj sallate fantastike, e shndërruar në të pandarë të tryezave shqiptare dhe gjithashtu botërore.

Nga emri i saj, çdo kujt i shkon në mendje se sallata ruse ka prejardhje nga Rusia, por sipas të dhënave të AgroWeb.org e vërteta është krejt ndryshe.

Kuzhinieri që krijoi këtë recetë ishte francez.

Kjo sallatë është servirur për herë të parë në vitin 1858, në një banket të famshëm në Paris të shtruar nga familja mbretërore.

Më tej, shija e kësaj recete u shpërnda mes restorantesh duke mbërritur në duart e amvisave e më tej u përhap në gjithë botën.

Sot, kjo sallatë është ndër më populloret në mbarë botën. Herë e preferuar në formën e saj tradicionale e herë e pasuruar me përbërës të tjerë shtesë, të cilët i’a shtojnë edhe më shumë shijen.

Përbërësit

1 filxhan çaji me bizele
125 gr karrota
125 gr fasule
1 kokërr e madhe patate
3 gota me majonezë (Nëse dëshironi ta përgatisni në shtëpinë klikoni këtu)
Një lugë e vogël me kripë (sipas preferencës)
Një lugë e vogël piper
Gjysmë kavanoz kastraveca turshi
Tre speca të kuq turshi (gogozhare)
Një lugë vaj ulliri

Përgatitja

Zjejmë të parat fasulet. Më pas karrotat, pataten dhe bizelet i hedhim në një enë dhe i zjejmë. Në momentin që shohim që janë të zjera i heqim dhe i lëmë të ftohen. Presim pataten dhe karrotat në kubikë të vegjël, i hedhim në një tas, bashkojmë fasulet e zjera, bizelet. Presim në kubikë të vegjël edhe kastravecat dhe specat gogozhare (një spec e presim në vija të holla dhe e përim në fund për dekorimin e sallatës), i shtojmë në tasin me perime. Hedhim kripën dhe piperin dhe i përzjejmë. Në fund, shtojmë majonezën i përzjejmë të gjitha bashkë derisa sallata të jetë e njëtrajtshme. Hedhim një lugë vaj ulliri sipër dhe e servirim duke vendosur për zbukurim shiritat e specave gogozhare. Shoqërohet me çdo lloj gatimi, sidomos me mishra, por edhe supra dhe gjellra të ndryshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat