Sa të rrezikuar janë diabetikët nga dëmtimet në këmbë?

Ushqime

Sa të rrezikuar janë diabetikët nga dëmtimet në këmbë?

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 15:08
Foto Ilustrim

Ndër shqetësimet më të shpeshta që shfaqen tek diabetikët janë problemet që shfaqen në shëndetin e këmbëve, të cilat mund të kalojnë në stade të rënduara, nëse nuk merret ndihma e duhur mjekësore në kohë. Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se cilat janw dy kumplikacionet më të shpeshta që shfaqen nga niveli i lartë i sheqerit në gjak .

Këto dy komplikacione të njohura si: polineuropatia diabetike dhe sëmundjet vaskulare periferike çojnë në shfaqjen e dëmtimeve të shumta në këmbë, por edhe në pjesë të tjera të trupit. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara format se si shfaqen këto ndërlikime, si dhe masat që duhet të merren për parandalimin e pasojave tw tyre.

Si mund të ndikojë diabeti në shëndetin e këmbëve?

Nivelet kronike të sheqerit (glukozës) në gjak mund të shoqërohen me komplikacione serioze tek njerëzit që vuajnë nga diabeti. Dy komplikacione kryesore të quajtura polineuropati diabetike dhe sëmundjet vaskulare periferike mund të dëmtojnë këmbët (por edhe zona të tjera të trupit) tek pacientët që vuajnë nga diabeti.

Nivelet e larta të sheqerit të shoqëruara me diabetin e pakontrolluar mund të shkaktojnë dëme nervore që ndërhyjnë në aftësinë për të ndjerë dhimbjen dhe temperaturën. Kjo e ashtuquajtura neruopati ndijore diabetike mbart në vetvete rrezikun që një person i prekur nga diabeti të mos vërë re problemet me këmbët e tij.

Pothuajse 10 për qind e njerëzve me diabet vuajnë nga ulcerat e këmbëve (plagë të hapura) për shkak të sëmundjes vaskulare (të enëve të gjakut) periferike dhe të dëmtimit të nervave. Njerëzit me diabet mund të mos vërejnë plagë, ose prerje në këmbë, të cilat mund të çojnë në infeksione të ndryshme. Dëmtimi nervor mund të ndikojë gjithashtu edhe në funksionimin e muskujve të këmbëve, por edhe më gjerë.

Çfarë është sëmundja periferike vaskulare?

Diabeti lidhet me qarkullimin e dobët (rrjedhjen e gjakut). Rrjedhja e pamjaftueshme e gjakut rrit kohën e shërimit të plagëve. Sëmundja periferike vaskulare i referohet fluksit të pakët të gjakut tek krahët dhe këmbët. Rrjedhja e dobët e gjakut rrit gjithashtu edhe rrezikun e infeksioneve, pasi gjaku furnizon indet me oksigjen. Kjo nga ana tjetër shton rrezikun e ulcerave dhe të gangrenës, që është vdekja e indeve, e cila ndodh në një zonë të lokalizuar kur ka furnizim të pamjaftueshëm me gjak. Ndaj sa më në kontroll të mbahet sëmundja e diabetit, aq më pak ndërlikime do të ketë edhe pacienti.

Cilat janë problemet më të zakonshme të këmbëve tek njerëzit që vuajnë nga diabeti?

Së pari do të përmendja “këmbën e atletit”, që përfaqëson infeksionet mykotike të këmbëve. Kjo gjendje shoqërohet me plasaritje të lëkurës, skuqje dhe kruajtje.

Mykrat depërtojnë kështu në lëkurën e çarë, duke shkaktuar infeksionin mykotik, i cili duhet të trajtohet me medikamente antimykotike qoftë lokale (në formë pomadash), ashtu edhe orale (tableta nga goja) në varësi të gjendjes individuale. Nga infeksionet mykotike mund të preken shpesh edhe thonjtë, të cilët paraqiten në këtë rast të trashë, të brishtë, në ngjyrë të verdhë-kafe, ose të errët dhe që mundtë shkërmoqen lehtë.

Çfarë e favorizon shfaqjen e këtyre infeksioneve mykotike?

Infeksionet mykotike lulëzojnë në mjedisin e ngrohtë, të lagësht dhe të errët të krijuar nga veshja e këpucëve të mbyllura. Këto infeksione janë të vështira, por jo të pamundura për t’u trajtuar. Ndonjëherë nevojitet edhe kirurgjia për të hequr zonat e infektuara të thonjve.

Shpesh diabetikët ankohen nga prania e lëkurës së trashë që krijohet kryesisht tek thembrat, me çfarë kemi të bëjmë?

Mjaft të shpeshta janë edhe calluset, të cilat përfaqësojnë zona të forta të lëkurës së trashë që ndodhet në fund të këmbëve (thembrat dhe shputa e këmbës). Shpërndarja e pabarabartë e peshës, anormaliteti i lëkurës, ose këpucët e këqija favorizojnë formimin e tyre.

Për calluset rekomandohet që pas dushit (pra kur janë zbutur) të fërkohen me një gur të posaçëm dhe në asnjë mënyrë të mos përdoren mjete të mprehta për t’i prerë ato, pasi mund të shkaktohen dëmtime serioze. Për zbutjen e tyre mund të përdoren edhe pomada speciale sipas këshillës së mjekut specialist dermatolog.

Si mund të zbutet lëkura, duke qenë se është një ndër shqetësimet e shpeshta që shfaqet tek diabetikët?

Po, mjaft problematike për diabetikët mbetet lëkura e thatë dhe e luspëzuar, veçanërisht e këmbëve. Kjo lëkurë e plasaritur lejon futjen e mikrobeve duke favorizuar infeksione të shumta. Prandaj rekomandohet përdorimi i solucioneve larës dhe kremrave hidratantë me qëllim mbajtjen e lëkurës të butë, të paprekshme dhe të shëndetshme.

Çfarë duhet të dinë diabetikët rreth kujdesit për ulcerat e këmbëve?

Siç e përmenda dhe më sipër, ulcerat e këmbëve përbëjnë një rrezik të madh për diabetikët. Tek këta persona plagët shërohen shumë ngadalë, ose nuk arrijnë të shërohen. Diagnoza dhe trajtimi i hershëm janë të nevojshme për të zvogëluar rrezikun e komplikacioneve.

Një problem mjaft delikat për diabetikët mbetet rritja e cepave të thonjve në brendësi të mishit. Kjo normalisht duhet të shkaktojë dhimbje dhe presion, por diabetikët nuk e ndjejnë për shkak të dëmtimit të nervave. Mbajtja e këpucëve të ngushta, ose të papërshtatshme e favorizon këtë anomali.

Mënyra më  e mirë parandaluese është prerja e thonjve drejt (jo cepat) dhe mbi pjesën e mishit (pra jo thellë), si edhe përdorimi i këpucëve të përshtatshme. Ndonjëherë, kirurgjia është e nevojshme për të larguar pjesën e prekur të thoit.

A mund të parandalohen problemet e këmbëve tek diabetikët?

Të jetosh me diabet kërkon që t’i kushtosh vëmendje të veçantë shëndetit. Duhet të konsultoheni dhe të kontrolloni shëndetin tek mjeku juaj në mënyrë të rregullt. Është shumë e rëndësishme që të tregoni kujdes me stilin e jetesës, ndjekjen e udhëzimeve të mjekut për dietën ushqimore, përdorimin e kujdesshëm të medikamenteve, si dhe kryerjen e aktivitetit fizik sipas këshillave të dhëna nga mjeku që ju mban nën vëzhgim. Sa i takon ndërlikimit të këmbëve janë një sërë këshillash që mund të ndiqen nga pacientët diabetikë, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

6 këshilla për të parandaluar ndërlikimet e diabetit në këmbë

Së pari, është e rëndësishme të ndiqen udhëzimet e mjekut në lidhje me dietën, stërvitjen dhe medikamentet. Mbajtja e niveleve të sheqerit në gjak brenda intervalit të rekomanduar, është një nga gjërat kryesore që duhet bërë për të kontrolluar gjendjen shëndetësore dhe për të ruajtur këmbët nga problemet e sipërpërmendura.

Së dyti, nëse vuani nga diabeti, inspektoni me kujdes këmbët tuaja për skuqje, plagë, calluse, apo shenja të tjera acaruese edhe nëse nuk ndjeni dhimbje. Kontrollet e përditshme të këmbëve janë veçanërisht të rëndësishme nëse keni rrjedhje të pamjaftueshme të gjakut.

Së treti, lani këmbët çdo ditë me sapun neutral dhe ujë të ngrohtë. Thajini pastaj mirë me një peshqir të butë, veçanërisht midis gishtave. Shmangni aplikimin e locioneve në zonën midis gishtave. Pyesni mjekun tuaj, se cili krem është më i përshtatshëm për llojin e lëkurës suaj dhe të gjendjes suaj shëndetësore. Pas larjes mund të përdorni një gur të posaçëm për të larguar pjesët e forta nekrotike të lëkurës (calluset). Një herë në jave duhet të kontrolloni thonjtë. Shmangni rrumbullakimin e tyre dhe prerjen e cepave.

Së katërti, zgjidhni çorape të buta dhe elastike. Shmangni sandalet dhe ecjen zbathur, madje edhe në shtëpi. Vishni këpucë të përshtatshme, me lëkurë të butë dhe që mund të jenë elastike. Bëni vazhdimisht lëvizje të këmbëve dhe të gishtave dhe mos qëndroni gjatë ulur. Mundësisht kur rrini ulur ngrini këmbët në një karrige përballë për të siguruar një qarkullim më të mirë të gjakut tek këmbët.

Së pesti, shmangni pirjen e duhanit dhe qëndrimin në tymin e tij, pasi tashmë janë të njohura dëmet shëndetësore të duhanit, veçanërisht për diabetikët.

Së fundi, shkoni rregullisht tek mjeku për kontrollin e situatës diabetike, sipas protokolleve të përcaktuara. Ai do të bëjë vlerësimin e ngrohtësisë së lëkurës dhe skuqjen, vlerësimin e pulsit të këmbëve dhe temperaturës së tyre, vlerësimin e ndjeshmërisë, si edhe inspektimin e përgjithshëm të tyre. Në këtë formë do të merrni trajtimin e duhur në kohë, duke shmangur ndërlikimet e rënduara të përmendura më lart.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat