Ushqimet që e forcojnë imunitetin

Ushqime

Ushqimet që e forcojnë imunitetin

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 18:58
Foto ilustrim

Sistemi i imunitetit ka për detyrë që ta mbrojë organizmin nga viruset, bakteret dhe parazitët, por edhe nga qelizat kanceroze. Jua prezantojmë gjashtë ushqime, të cilat e forcojnë këtë sistem.

BOLLGURI

Bollguri, apo qulli i tërshërës, është një burim i mrekullueshëm i beta-glukanit, një lloj special i fibrave që ndihmojnë në rregullimin e sistemit të imunitetit, duke shkaktuar një seri ngjarjesh, që e bëjnë atë më efikas. Në veçanti, beta-glukanet stimulojnë aktivitetin e makrofagëve, një lloji të leukociteve, të cilat shkatërrojnë patogjenët e dëmshëm, sikur që janë bakteret dhe mikrobet e tjera.

MISHI I LOPËS

Mungesa e zinkut mund të ketë ndikim paralizues për sistemin e imunitetit, duke na rrezikuar nga infeksionet e ndryshme. Kjo për shkak se zinku i duhet organizmit për të prodhuar interleukinën-2, një lloj të citokineve, që luftojnë bakteret dhe viruset. Mishi i kuq, sikur që është ai i lopës, është i pasur me këtë mineral. Kjo vlen sidomos për gjedhet e ushqyera me bar.

JOGURTI

Probiotikët, bakteret e gjalla, të dobishme, që gjenden në ushqimet e fermentuara, sikur që është jogurti, nuk e përmirësojnë vetëm shëndetin e organeve të tretjes, por edhe funksionimin e përgjithshëm të sistemit të imunitetit. Edhe vetë trakti digjestiv është një qendër aktive e imunitetit, meqë aty ka një numër të madh të patogjeneve dhe toksinave. Prandaj, mund të thuhet se bazat e një shëndeti të mirë gjenden në zorrë. Probiotikët munden ta mbështesin dhe forcojnë sistemin e imunitetit, meqë bakteret e shëndetshme i mundin bakteret e dëmshme, duke parandaluar shumimin e tyre.

KARKALECAT E DETIT

Karkalecat e detit mund të jenë të vegjël për nga madhësia, por kanë rëndësi të madhe sa i përket përforcimit të sistemit të imunitetit. Ata janë burim i mrekullueshëm i selenit, i cili ka rëndësi të madhe meqë mundëson komunikimin e qelizave imunitare me njëra-tjetrën, duke lëvizur në drejtim të inflamacionit, apo infeksionit.

GJOKSI I PULËS

Njëri ndër funksionet më të rëndësishme të proteinave në organizëm, është mbështetja e sistemit imunitar. Aminoacidet, të cilat janë përbërës të proteinave, janë blloqe ndërtuese të çdo qelize në organizëm, duke përfshirë edhe qelizat e sistemit të imunitetit. Një burim i mrekullueshëm i proteinave është gjoksi i pulës. Një sasi prej rreth 100 g të gjoksit të pulës, përmban rreth 35 mg proteina për 187 kalori.

PESHKU SALMON

Përpos që është një burim i mirë i proteinave kualitative, salmoni është edhe një burim i mrekullueshëm i vitaminës D, e cila ka rëndësi në zhvillimin e leukociteve, linjës së parë të mbrojtjes të organizmit nga infeksionet. Vitamina D po ashtu ka rëndësi në aktivizimin e qelizave vrastare të sistemit të imunitetit, apo qelizave T, të cilat luftojnë infeksionet e ndryshme në organizëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat