Sa zgjat tretja e ushqimit

Ushqime

Sa zgjat tretja e ushqimit

Më: 4 mars 2021 Në ora: 23:50
Foto ilustrim

Tretja është mënyra se si trupi juaj e kthen ushqimin në karburant.

Mesatarisht ky proces zgjat 24 deri në 72 orë, por sa kohë i duhet trupit tuaj për të tretur ushqimin kjo varet nga ajo çfarë konsumoni, sasia që konsumoni, metabolizmi dhe aktiviteti fizik.

Sigurisht që në varësi të ushqimit që konsumojmë ndikohet edhe kohëzgjatja e procesit të tretjes.

Nëse konsumoni produktet e mishit, sistemit tuaj tretës do t’i duhet një deri në tri ditë për ta tretur plotësisht atë.

Gjithçka lidhet me faktin se mishi ka proteina të cilat përbëhen nga aminoacide. Janë pikërisht këto aminoacide që kërkojnë më shumë kohë që të shpërbëhen.

Kur bëhet fjalë për produktet e bulmetit si qumështi, kosi, djathi apo gjiza, trupi arrin t’i tresë ato nga 30 minuta deri në 2 orë. Enzimat në stomakun tuaj ndajnë në molekula të vogla yndyrat dhe proteinat e këtyre produkteve dhe më pas tretja vazhdon edhe në zorrë.

Perimet dhe frutat nga ana tjetër kërkojnë nga trupi më pak se një ditë që të treten. Për perime me përmbajtje të lartë niseshteje, siç janë misrat dhe patatet, sistemit tretës do t’i duhet pak më gjatë se perimet që kanë përqindje të lartë uji në përmbajtjen e tyre. Ndërkohë që perimet e gatuara treten edhe më shpejt duke qenë se gatimi ndikon në përshpejtimin e shpërbërjes së fibrave, duke e ndihmuar sistemin tretës që t’i shpërbëjë ato.

Zakonisht mjekët sugjerojnë që të rinjtë të konsumojnë sa më shumë fruta dhe perime të freskëta, e ndërsa të moshuarit ato të gatuara në avull apo furrë për të lehtësuar tretjen.

Grupi tjetër i madh i ushqimeve janë karbohidratet, të cilat përfshijnë drithërat, biskotat, bukën, makaronat, orizin e shumë të tjera.

Ky grup arrin të tretet nga trupi nga 15 minuta deri në 3 orë në varësi të drithërave që përmbajnë.

Produktet me drithëra të plota, siç klasifikohen shpesh produktet integrale, kanë më shumë fibra, ndaj dhe kërkojnë pak më shumë kohë të treten.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat