Dosja 369: Ja si u zbulua pas 23 vitesh vrasja e dy vëllezërve Hasho në 1998 në Vlorë

Vlora

Dosja 369: Ja si u zbulua pas 23 vitesh vrasja e dy vëllezërve Hasho në 1998 në Vlorë

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 16:08
Beqir Hasho

Vrasja e dy vëllezërve nga Vlora, Beqir dhe Elmaz Hasho, për 23 vite me radhë kishte qëndruar e pazbardhur në sirtarët e policisë dhe prokurorisë së Vlorës.

Çështja penale me nr.369, ishte arkivuar për shkak të moszbulimit të autorit të krimit, megjithëse nga ana e hetuesve, ishin bërë përpjekje për zbardhjen e ngjarjes, duke hetuar më tepër në një konflikt për pronat që dy vëllezërit Hasho kishin me familjen e Fatos Shehut, ose siç thirret ndryshe në Vlorë me nofkën (Tozo).Por një informacion i mbërritur në 24 korrik 2014 në Drejtorinë e Policisë së Vlorës,ka bërë që dosja e vrasjes së dy vëllezërve Hasho, të rihapet dhe të hetohet, jo për motivin e konfliktit të pronave por për një motiv tjetër, që kishte të bënte me zhdukjen e një pistolete tip “TT”, armë kjo që mbahej në fshehtësi nga Beqir Hasho.

Informacioni i vlefshëm që solli zbardhjen e krimit të dyfishtë pas 23 vitesh, është çuar në polici nga djali i viktimës Beqir Hasho, Avenir Hasho, i cili nuk kishte reshtur kërkimet për mbledhjen e informacioneve, se kush mund të ishte personi që i kishte vrarë babain dhe xhaxhain në 22 nëntor 1998 në Vlorë. Ky informacion ka mbërritur në oficerët e policisë kriminale në qytetin e Vlorës, në një periudhë kur këta të fundit kishin shuar shpresat për zbulimin e kësaj ngjarje të rëndë.

Ora News mëson se Avenir Hasho në korrik të vitit 2014, ka dhënë deklarime në policinë e Vlorës, duke treguar se: “…kam rënë në dijeni se autori i vrasjes së babit tim Beqir Hasho dhe xhaxhait Elmaz Hasho është shtetasi Gerti Kamber Selimaj, i cili banon në qytetin e Vlorës…”.

Më tej Avenir Hasho ka treguar se babi i tij ka qenë i pranishëm në një ngjarje kriminale të ndodhur në vitin 1997, ku ka mbetur i plagosur Gerti Selimaj në vendin e quajtur “Tregu i Orizit” dhe që babi i tij e kishte ndihumuar, për ta çuar në spital. Sipas informacioneve që ka dhënë në polici Aveniri, Gerti Selimaj, kishte mësuar se në vendin e ngjarjes, Beqir Hasho, i kishte marrë një armë zjarri pistoletë, të cilin Gerti Selimaj ja kishte kërkuar me insistim dhe për këtë shkak kishte ndodhur vrasja.

Avenir Hasho ka shpjeguar se ka mësuar nga një shoku i tij me emrin Nervin, se ditën e ngjarjes kishin qenë dy persona, të cilët ishin zënë me babin dhe xhaxhain e tij dhe më pas i kishin qëlluar për vdekje. Po në lidhje me vrasjes e babait dhe xhaxhait, Avenir Hasho, ka deklaruar dhe një informacion që e ka marrë krejt rastësisht në Greqi, ku personi tregonte se autor i vrasjes së babait dhe xhaxhait të tij, ishte pikërisht Gerti Selimaj.

“…kur kam qenë në Athinë të Greqisë nga një person i tretë gjatë një takimi në stacionin e autobusit me shokun e klasës të quajtur Dorjan Mecaku (Bicaku), i cili ishte i shoqëruar me një person tjetër që unë nuk e njihja, ai më ka pyetur, se sa vjet burg ka bërë Gerti Selimaj, për vrasjen e dy vëllezërve Hasho në Vlorë…”,ka rrëfyer Avenir Hasho.

Pas dëshmisë së tij, është rihapur sërish çështja, duke bërë që policia të marrë në pyetje disa dëshmitarë mes të cilëve personin kryesor Agim Bilalin ose “Gimaçin”, të cilët kanë identifikuar si autor të krimit të dyfishtë pikërisht, Gerti Selimaj.

Momentalisht ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e “Vrasjes me paramendim” ndaj dy vëllezërve Hasho dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”. Ndërkohë hera e fundit kur Gerti Selimaj ka qenë në Vlorë është viti 2015, dhe prej kësaj periudhe ai nuk ka hyrë asnjëherë në territorin e Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat