VOA: Aeroporti i Vlorës, fitues konsorciumi me kompaninë e Pacollit

Vlora

VOA: Aeroporti i Vlorës, fitues konsorciumi me kompaninë e Pacollit

Më: 5 mars 2021 Në ora: 20:19
Aeroporti i Vlorës

Në Shqipëri, një konsorcium kompanish, ku 50 përqind e aksioneve zotërohet nga Mabetex e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, u shpall të premten fituese e garës për ndërtimin dhe administrimin e aeroportit të Vlorës. Për realizimin e kësaj vepre kishte shprehur interes dhe një kompanië me seli në Londër, por ajo ishte skualifikuar pasi nuk plotësonte kriteret e kërkuara.

Mabetex e zotit Pacolli, është në partneritet me një tjetër kompani turke, Yda Group, e cila ka në eksperiencën e saj ndërtime dhe operime në të paktën tre aeroporte ne Turqi, një në Kazakistan dhe një tjetër në Ukrainë. Yda Group ka 48 përqind të aksioneve në konsorciumin që fitoi të drejtën për aeroportin e Vlorës, ndërsa 2 përqind i përkasin shoqërisë nga Kosova 2A Group Shpk. Vlera e parashikuar e investimit është gati 104 milion euro.

“Jam shumë i lumtur për hir të së vërtetës që baza e këtij konsorciumi është një kompani e famshme, një kompani me vepra fantastike, një kompani që ka flamurin shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit”, deklaroi kryeministri Rama në ceremoninë e shpalljes së fituesit. Brenda 30 ditëve, konsorciumi fitues do të duhet të negociojë me autoritetet termat e kontratës, në mënyrë që të nisë punimet të cilat sipas parashikimeve do të zgjasin së pau dy vjet.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Baluku, tha se aeroporti i Vlorës do të jetë “më i rëndësishmi në vend”. Ndryshe nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ai do të ofrojë mundësi dhe për fluturime të avionëve të mallrave si dhe do të ketë hangarë të posaçëm për mirëmbajtjen e avionëve, një tjetër sektor i rëndësishëm i industrisë së aviacionit.

Sipas të dhënave të projektit fillestar, aeroporti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto 16 000 m2 do të jetë zona e terminalit të pasagjereve. Parkingu i avionëve do të jetë 46 690 m2 nga të cilat 32 000 m2 do të jenë për pozicionet e avioneve (12 vendqëndrime). 2000 m2 do të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrëfikës.

Pista do të jetë e gjatë 3200 metra, ndërsa kategoria e aeroportit do të jetë 4E, që do të thotë se plotëson kushtet për avionë të mëdhenj. Rrugët lidhëse do të jenë në total 7263 metra të kategorisë që mbështet operimet e pistës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat