Porti i peshkimit në Vlorë i lënë në harresë prej 30 vitesh, peshkatarët kërkojnë kushtet minimale

Vlora

Porti i peshkimit në Vlorë i lënë në harresë prej 30 vitesh, peshkatarët kërkojnë kushtet minimale

Më: 10 prill 2021 Në ora: 16:32
Porti i peshkimit në Vlorë

Prej vitesh, porti i peshkimit në qytetin e Vlorës ngjan me një varrezë makinash. Mungesa e ndriçimit për ankorimin e mjeteve lundruese gjatë natës, infrastruktura që thuajse nuk ekziston apo dhe hyrja e cekët në vendin ku ankorohen anijet e peshkimit kanë rënduar mbi peshkatarët prej 30 vitesh, të cilët përballen me pasojat.

“Ujë s’kemi, ndriçim s’ka, tmerr kur del e hyn brenda nga papastërtitë, projekti kur të vijë, do kohë, duhet të pastrohet territori. Më shumë se 20 vjet peshkatar, vështirësia e hyrjes së anijeve në mol mbetet pikë kritike, sidomos për anijet e mëdha. Po të shikoni një anije ka mbetur edhe në këtë moment në mol. S’kemi kushte, por shpresojmë në një projekt”, tregon një peshkatar.

“Gjëja kryesore është hyrja e mjeteve në port, edhe tani aktualisht një mjet ka ngecur në pjesën e daljes së portit. Një problem gangrenë i mbartur në vite, problem tjetër janë bankinat, jo çdo mjet ka bankinën e tij. Ndriçimi mungon  hyrja, thellimi i kanalit ku mjetet duhet të hyjnë dhe bankinat. Aktualisht ka një projekt i cili pritet së shpejti si qendra e rikuperimit të mjeteve”, shpjegon kreu i Shoqatës së Peshkimit, Sherif Dyrmishaj.

Në Triport operojnë gjithsej 80 anije peshkimi të përmasave të ndryshme. Kohë më parë qeveria në detyrë tha se brenda pak kohësh do të ketë një projekt për këtë port, por deri më tani në vend të investimit konkret, është menduar ndërtimi i markatës së peshkut, punimet e së cilës kanë nisur prej shkurtit 2019 e që pritet të përfundojnë në verën e vitit 2021.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat