ILD kërkon ulje page për 2 gjyqtarë të Apelit në Vlorë

Vlora

ILD kërkon ulje page për 2 gjyqtarë të Apelit në Vlorë

Më: 11 tetor 2021 Në ora: 13:30
Artur Metani

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani kërkon ulje page me 40% për gjyqtarët e Apelit Vlorë, Petrit Alia dhe Nazmi Troka.

Sipas ILD-së, gjyqtarët e proceduar për masë disiplinore nuk kanë zbatuar ligjin në trajtimin e një personi të akuzuar për pengmarrje duke sjellë lirimin e tij, nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’.

Sipas Metanit, shkeljet procedurale të kryera nga magjistratët provohen të jenë kryer me dashje direkte.

“Magjistratët kanë mbajtur një qëndrim në kundërshtim me ligjin në lidhje me kërkesat e prokurorit, të cilat nuk janë shqyrtuar dhe argumentuar në  rrëzimin e kërkesës së prokurorit, sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë”, thuhet në reagimin e ILD-së, ku theksohet se gjyqtarët kanë zbatuar gabim legjislacionin procedural penal, fakt ky i konstatuar nga Gjykata e Lartë.

Më shumë se 1 muaj më parë, ILD kërkoi që t’u ulej paga me 40% gjyqtarit të Vlorës, Hektor Sinani dhe gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, pasi zvarritën zbardhjen e vendimeve dhe shkelën etikën duke komunikuar me palët.

Në total deri më tani pranë ILD janë administruar rreth 4 mijë ankesa nga qytetarë, institucione apo praktika të trashëguara, ndërsa vetëm rreth 1200 kanë arritur të shqyrtohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat