​Komisioneri Varhelyi viziton sot baypass-in e Vlorës

Vlora

​Komisioneri Varhelyi viziton sot baypass-in e Vlorës

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 07:16
Oliver Varhelyi

Komisioneri i Bashkimit Evropian, për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, së bashku me kryeministrin Edi Rama do të vizitojnë sot baypass-in e Vlorës, të financuar nga BE-ja. Vizita është planifikuar rreth orës 19:00 ndërsa 30 minuta më vonë është paralajmëruar edhe një konferencë e përbashkët për media.

Bashkimi Evropian ka mbështetur ndërtimin e baypass-it të Vlorës nëpërmjet një granti prej 20 milionë eurosh.

Gjithashtu, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po kontribuojnë me hua prej 18 milionë euro secila për këtë projekt.

Baypass-i i Vlorës, një aks i shumëpritur që lehtëson aksesin drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm turistik të vendit, u hap përfundimisht për mjetet në fund të javës së shkuar. 

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.

Baypass-i nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.

Në çdo 1.5 kilometra të kësaj rruge është parashikuar vendpushim për automjetet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat