Porti i Vlorës ndalon lundrimin për shkak të motit të keq

Vlora

Porti i Vlorës ndalon lundrimin për shkak të motit të keq

Më: 25 nëntor 2025 Në ora: 10:27
Foto ilustrim

Autoriteti Portual i Vlorës ka njoftuar këtë të martë, më 25 nëntor, ndalimin e pajisjes me leje-nisje për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike.

Kështu, sipas një njoftimi, ndalimi ka hyrë në fuqi prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm dhe do të zgjasë deri nesër, më 26 nëntor, në orën 06:00.

“Është ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës në det të hapur, duke filluar nga ora 10:00 datë 25.11.2025 deri në datë 26.11.2025 në orën 06:00.

Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të vlorës të marin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike detare dhe marjen e masave për sigurimin e tyre.”, thuhet në njoftimin e Portit.

Në këtë kuadër, Porti i Vlorës apelon që drejtuesit e mjeteve lundruese dhe anijeve të peshkimit të marrin masa shtesë sigurie për mjetet e tyre, të shmangin nisjet e panevojshme dhe të respektojnë udhëzimet zyrtare deri në normalizimin e situatës.

Ndërkohë po sipas njoftimit, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat