Paranoja e brishtësisë maqedonase - Bota Sot
Paranoja e brishtësisë maqedonase

Opinione

Paranoja e brishtësisë maqedonase

Nga: Faton Abdullahu Më: 14 shkurt 2010 Në ora: 16:39

Ata që e kanë përpiluar projektin “Shkupi 2014” në asnjë moment nuk kanë menduar për interesat e shqiptarëve. Në përpjekjen e tyre, si ta bëjnë Shkupin sa më të bukur, sa më funksional dhe sa më evropian, në asnjë variant, as kultura shqiptare, as trashëgimia e tyre, as personalitet e shquara shqiptare, nuk janë marrë parasysh. Të thuhet se i kanë harruar të gjitha këto, do të ishte naive. Është shumë më e saktë të konstatohet se, çdo gjë shqiptare është mënjanuar qëllimisht nga ky projekt ambicioz dhe i kushtueshëm. Cila është logjika që, në një shtet ku rreth tridhjetë për qind të qytetarëve (sipas shënimeve zyrtare) janë shqiptarë, i ka prirë projektuesit e qendrës së Shkupit? Jo lehtë e shpjegueshme. Duket se projektuesit e “Shkupi 2014” kur e kanë bërë këtë plan, kur në të nuk kanë inkorporuar asgjë nga e kaluara dhe nga e tashmja shqiptare, kur në këtë projekt që do të jetë fytyra e Maqedonisë, kanë futur shumë monumente, përmendore e emra vetëm maqedonas, kanë thënë me vete dhe i kanë thënë njëri tjetrit : “ata, pra shqiptarët, tani i kanë dy shtete e kanë Shqipërinë dhe e kanë Kosovën, boll i kanë, bile shumë, ndërkaq ne maqedonët e kemi vetëm një, jemi pak në numër dhe atë që e kemi po na kërcënohet nga të katër anët”. Por vallë si do ta kenë arsyetuar projektuesit e “Shkupi 2014” apo më saktë “Skopje 2014” veprimin e tyre, nëse ju ka shkuar mendja se për këtë projekt do të marinë vërejtje nga ndërkombëtarët. Mund të kenë menduar ndoshta se ndërkombëtarët do të nisen ngjashëm nga kjo logjikë e tyre. Mund të kenë menduar se ndërkombëtarët do të jenë të mirë kuptueshëm për pozitën e brishtë të këtij shteti, për numrin e vogël të këtij kombi dhe për atë se i vetmi vend ku ata mund ta shfaqin këtë ‘koreografi identiteti nacional’ në të vërtetë na qenka Shkupi, konkretisht qendra e tij. Pyetja që lind pa e tjerr shumë këtë projekt bëhet logjikshëm, a kanë menduar ata se për shkak të këtij projekti që injoron çdo gjë shqiptare, shqiptarët mund të reagojnë, mund të hidhërohen dhe se situata mund të tensionohet? Apo mos vallë ideatorët e këtij projekti bashkë me qeveritarët maqedonas do të nisen nga një logjikë e pushtuesve të fortë, pushtuesve konfident e të zhdërvjelltë të cilët do të thonë “hajt se sot mirë janë shqiptarët marrë parasysh si kanë qenë më parë”. A do të kenë menduar ata “hajt se shqiptarët nuk janë për më mirë, nuk e meritojnë më mirë dhe as që dinë e munden të kërkojnë më shumë”.

Por e gjithë kjo mund të vazhdoj e të vështrohet edhe nga këndi tjetër. Emërues i përbashkët i këtij këndvështrimi është, paranoja maqedonase. Nuk është vetëm çështja e këtij projekti, janë edhe gjëra të tjera që të shtyn të mendosh se maqedonasit, apo thënë më saktë, qeveritarët maqedonas, po bëhen arrogant dhe kjo arrogancë ka të bëjë me mungesën e konfidencës nacionale dhe shtetërore, ka të bëjë me frikën e cila po kthehet në paranojë të sikletshme kolektive. Ata duan që fëmijët shqiptarë t’i shtyjnë të mësojnë maqedonisht që nga klasa e parë fillore, ata e injorojnë pothuajse plotësisht ‘Marrëveshjen e Ohrit’, ata anulojnë Ligjin për amnisti, ata thjeshtë duan që Maqedonia të perceptohet e të bëhet shtet sllavo – ortodoks, me qirilicë, me kryq ortodoks dhe mundësisht nëse jo pa shqiptarë, atëherë së paku me sa më pak vlera e gjëra shqiptare. Marrë parasysh monitorimin e ndërkombëtarëve, brishtësinë e shtetit të Maqedonisë dhe aspiratat për NATO e BE, numrin e shqiptarëve në këtë shtet, veprimet e pushtetarëve aktual, mund të përkufizohet si paranoja nacional-politike. Për më shumë, kjo është prepotencë antishqiptare, por edhe antieuropiane. Vallë a duhet shqiptarët të jenë të matur e tolerantë me kërkesat e tyre, mu për shkak të kësaj politike antishqiptare me plotë paranoja. Përvojat ballkanase tregojnë se kjo vështirë është e mundur. Shqiptarët gjithsesi do të reagojnë dhe reagimet e tyre do të jenë të prirë nga interesat e tyre nacionale në këtë shtet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...