EULEX: Nuk ka mosmarrëveshje me qeverinë e Kosovës - Bota Sot
EULEX: Nuk ka mosmarrëveshje me qeverinë e Kosovës

Kosova

EULEX: Nuk ka mosmarrëveshje me qeverinë e Kosovës

Më: 8 shtator 2009 Në ora: 11:06

Zyrtarët ndërkombëtarë në Prishtinë nuk e përjashtojnë mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshje me autoritetet vendase lidhur me protokollin për bashkëpunimit policor EULEX-Serbi, ndonëse këto të fundit vazhdojnë ta kundërshtojnë atë.

Bisedimet për këtë çëshje po zhvillohen prapa dyerve të mbyllura dhe ato po udhëhiqen nga Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, në krye të së cilës është përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Pieter Feith.

Zëdhënësi i tij, Andy McGuffie në një bisedë për BBC-në ka mohuar të ketë mosmarrëveshje ndërmjet zyrtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë për protokollin.

“Nuk mendoj se ka ndonjë mosmarrëveshje ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare apo Bashkimit Evropian për të pasur aranzhime që do t’i mundësonin EULEX-it ta bënte punën e vet dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se të gjithë pajtohen se luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit janë çështje shumë prioritare. Ne thjesht duhet të gjejmë zgjidhje të përshtatshme për të gjithë”, tha për BBC-në zëdhënësi McGuffie.

Sipas tij, bisedimet me Prishtinën do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme.

“Autoritetet kosovare e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për këtë çështje dhe mendoj se kjo është kuptuar nga të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në bisedime, por çështja është se EULEX-it i nevojitet mjete për ta kryer punën e tij dhe kjo duhet të bëhet në atë format, me të cilin të gjithë do të jenë të kënaqur. Konsultimet për ta gjetur këtë format po vazhdojnë”, është shprehur zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith.

Kryeministri Hashim Thaçi ishte paraparë që të realizonte një vizitë në Bruksel të martën ku me shefin e diplomacisë evropiane, Havier Solana do të diskutonte protokollin e debatueshëm EULEX-Serbi, por vizita e tij është shtyrë për shkak të agjendës së ngjeshur të z.Solana dhe z.Thaçi.

Ndërkohë, pavarësisht paralajmërimeve të presidencës suedeze të BE-së se protokolli ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë do të nënshkruhet së shpejti, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se dokumenti në formën siç është tani, nuk do të pranohet kurrë nga Prishtina.

Numri dy i qeverisë së Kosovës ka pranuar se mbi Prishtinën zyrtare po ushtrohet trysni ndërkombëtare që të ndryshojë qëndrimin lidhur me protokollin e debatueshëm për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë.

“Kjo lojë përmes mediave dhe oponionit publik është formë e presionit që mund t’i bëhet dikujt. Unë e di që ne do të marrim kritika edhe kur të nënshkruhet po e marr shembull, por edhe nëse nuk nënshkruhet ka dikush që e kritikon për shkak të dëmtimit të agjendës evropiane. Ne do ta bëjmë veprimin më të mirë për interesat e vendit tonë. Presioni përmes mediave nuk e lëviz qëndrimin e qeverisë së Kosovës”, tha z. Kuçi.

Komentet e tij pasojnë deklaratën e zëvendësshefit të Departamentit suedez për Bashkimin Evropian, Lars Wahlund dhënë BBC-së se protokolli i bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit zyrtar do të nënshkruhet së shpejti.

Pas takimit me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, zëvendëskryeministri Kuçi deklaroi se asnjë marrëveshje që do të nënshkruhet pa mbështetjen e institucioneve të Kosovës nuk do të jetë e zbatueshme.

“Unë mendoj se për ashtu çfarë ka qenë dhe është protokolli, JO-ja ka qenë e hershme dhe do të jetë përgjithmonë. Nuk është çështje e hershme ose e vonshme, mendoj se është çështje e mbrojtjes së interesit nacional. Unë kisha dashur që t’u japim hapësirë institucioneve që të bëjmë zgjidhjen më racionale për vendin, po sido që të jetë, jam i bindur se nuk duhet të frikësohet asnjë qytetar i Republikës që ne do t’i dëmtojmë raportet me BE-në, apo raportin me interesin nacional”, tha zv/kryeministri Kuçi.

Refuzimi që udhëheqësit kosovarë i kanë bërë protokollit EULEX-Serbi, është mbështetur edhe nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme.

Kryetari i këtij komisioni, Sabri Hamiti ka konfirmuar se bisedimet për protokollin EULEX-Serbi po vazhdojnë, ndonëse ditë më parë presidenti dhe kryeministri i shpallën ato të mbyllura.

“Se po bisedohet se është çështja akute, besoj se e di gjithkush dhe s’ka pse të mos thuhet kjo”, u shpreh z.Hamiti.

Reagon opozita në Kosovë

Deputetët e opozitës ndërkaq kanë kritikuar qeverinë për mostransparencë dhe reagim të vonuar lidhur me bisedimet që janë zhvilluar ndërmjet misionit evropian dhe autoriteteve serbe.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini tha se qeveria ka qenë në dijeni për këto bisedime qysh në muajin shkurt, ndërsa ka reaguar vetëm pasi mediat kanë publikuar njoftimin për nënshkrimin e pritshëm të protokollit. Sipas tij, me këtë sjellje, qeveria ka dëmtuar imazhin e Kosovës si shtet.

“Kosova ka treguar se nuk ka vija të kuqe, Kosova ka treguar se gjithçka është e negociueshme me Kosovën, ka treguar se pavarësia e njohur nga 62 vende ende është më e brishtë se sa dikush don me na tregu që është, tregon se nuk është e aftë të qeverisë me vetveten”, theksoi deputeti Gjini.

Analistët ndërkaq thonë se nënshkrimi i protokollit është i pashmangshëm sidomos pas mbështetjes së fuqishme që mori EULEX-i nga Këshilli i Ministrave i BE-së në një takim javën e kaluar.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti sugjeron që Prishtina të këmbëngulë në përfshirjen e saj në nënshkrimin e protokollit dhe të argumentojë se vetëm institucionet e Kosovës kanë të drejtë të bëjnë marrëveshje ndërkombëtare.

“Unë kam përshtypjen se protokolli do të nënshkruhet por mendoj se do të duhej të ndryshonte formati dhe do të duhej të ndryshonte subjekti që bën aprovimin e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në fakt kemi në njërën anë Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe mendoj se domosdoshmërisht duhet që edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës të jetë partnere”, thekson z.Hoti. bbc

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...