Sejdiu: Statusi dhe integriteti janë vija të kuqe

Kosova

Sejdiu: Statusi dhe integriteti janë vija të kuqe

Më: 14 shtator 2010 Në ora: 17:16

Presidenti Fatmir Sejdiu ritheksoi edhe një herë të martën se institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme të fillojnë bashkëpunimin me Serbinë, për të gjitha ato çështje që janë në interes të qytetarëve, por jo edhe për statusin dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës.

Rezoluta për Kosovën, e miratuar javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së bën thirrje për fillimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, bisedime këto të cilat edhe kanë nxjerr reagime të shumta nga krerët e Kosovës dhe Serbisë.

Derisa ende nuk ka ndonjë datë dhe agjendë të bisedimeve në fjalë, presidenti Fatmir Sejdiu ka ritheksuar se Republika e Kosovës asnjëherë nuk heziton që të bisedoj e bashkëpunoj me Republikën e Serbisë në të gjitha temat që janë në interes të qytetarëve, por si dy vende sovrane.

"Çështjet që mund të jenë preferencë e Serbisë për të hapur biseda për çështje statusi, për çështje të integritetit të vendit, për çështjet e rregullimit të brendshëm, janë vija të kuqe të cilat Kosova absolutisht as nuk do të dëgjojë", ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, Kosova ka vendosur që të jetë shtet i pavarur qysh më 17 shkurt të vitit 2008 dhe nuk ka kthim prapa aq më pak tani që vullneti i qytetarëve të Kosovës është legjitimuar fuqishëm edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Përndryshe, në Gjykatën Kushtetuese tashmë ekziston një ankesë e 33 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë kërkuar që organi më i lartë kushtetues të bëjë një interpretim, nëse presidenti Sejdiu po e shkel Kushtetutën, me mbajtjen e funksionit të kryetarit të "ngrirë" të LDK-së.

Lidhur me këtë çështje, presidenti Sejdiu thotë është në pritje të një vendimi nga Gjykata, porse konsideron se deri më tani janë prezantuar provat se mos ushtrimit të funksionit që janë sipas rregulloreve e ligjeve.

"Eshtë gjykata që vendos për të gjitha çështjet dhe ne besojmë në punën e tyre të mbështetur mbi ligj dhe Kushtetutë. Njerëzit që përfaqësojnë presidentin e Kosovës kanë prezantuar provat të cilat janë të qarta dhe pavarësisht se mund të ketë spekulime të llojllojshme, unë gjithmonë i besoj drejtësisë. Dhe paralelisht them se kategoria e mos ushtrimit të funksionit është pikërisht e mbështetur edhe mbi formulë politike për arsye se për të pasur një pozicion aktiv, do të thotë ushtrim i funksionit dhe për të pas një qasje jo akti është mos ushtrim i funksionit", ka thënë ai.

Kurse i pyetur rreth rastit me kryetarin e Rahovecit, Qazim Qeska, i cili pas 48 ditëve është kthyer në postin nga ku ishte larguar, presidenti Sejdiu ka thënë se edhe për këtë çështje Gjykata vendos në bazë të dispozitave dhe rrugës që sheh të nevojshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat