Flamingot në Keni, në zhdukje

Afrika

Flamingot në Keni, në zhdukje

Më: 8 mars 2021 Në ora: 07:29
Flamingot në Keni

Pothuajse gjysma e 3.5 milionë flamingove në botë jetojnë në liqenin e Bogorias në Keni, por kur vështrohet më afër situata nuk është edhe aq e mirë.

Trupat e ngordhur të këtyre zogjve të hijshëm varen nëpër degët e pemëve dhe ferrat e shkurreve “prosopis juliflora”.

Për situatën e rënduar është shprehur njëri nga kujdestarët veteranë të Shërbimit të Botës së Egër në Keni.

“Liqeni është i rrethuar nga një specie bimore e quajtur prosopis, e cila ka ndikim të madh te flamingot, sepse pasi liqeni është zgjeruar përtej, lumenjtë janë brenda prosopisit, që ka sjellë bllokimin e flamingove e më pas edhe ngordhjen e tyre. Kurrë nuk ka ndodhur diçka e tillë, që flamingot të kurthohen nga kjo bimë invazive, prosopisi”, ka thënë ai.

Flamingot për një kohë të gjatë kanë qenë atraksion turistik në Rift Valley. Tani, ngordhja e këtyre zogjve po e kërcënon industrinë që kontribuon 8.8 për qind në GDP-në e vendit.

Një nga arsyet kryesore për ngordhjen e zogjve është ngritja e niveleve të ujit. Kjo i ka shtyrë ata që të shpërngulen në ujëra më të cekët për të mbijetuar. Përderisa janë zhvendosur, janë zënë nga gjembat e bimës.

Paul Gacheru, ekolog i botës së egër, e shpjegon mënyrën se si jetojnë flamingot.

“Së pari flamingot kanë nevojë për liqene të cekëta e jo liqene të thella. Së dyti, rritja e niveleve të ujit krijon habitat të papërshtatshëm për krijimin e algave, me të cilat ushqehen flamingot. Së treti, ndotja është në rritje e sipër në këto liqene. Katër, përderisa uji po shtohet, po kalon nëpër zona më tokësore që kanë më shumë bimë, sikur zonat me prosopis, që është bimë invazive që i kurthon zogjtë gjersa ata fluturojnë. Dhe kjo është duke ndodhur në liqenin e Bogorias”, ka thënë Gacheru.

Ndryshimi klimatik është fajtori kryesor. Më pas vjen edhe shpyllëzimi në malësitë dhe zonat ujëmbledhëse, që kanë shkaktuar erozion të tokës dhe rritje të llumrave në liqene. Rritja e përmasave ka shtyrë ujërat përtej juridiksionit të Rezervës Kombëtare, duke shkaktuar konflikt mes njerëzve dhe kafshëve në zona përtej kufijve.

Por, megjithatë, ka shumë grabitqarë të cilët tani po i hanë këta flamingo. Është lejlekun marabou, e pastaj edhe shqiponja afrikane e peshkut.

Pra, pasi grabitqarët fluturojnë mbi flamingot, ata kuptojnë tendencën e flamingove që përpiqen ta sigurojnë vetveten, por fluturimi nëpër prosopis është sfidë e madhe.

Flamingot kanë mënyrën e tyre të fluturimit dhe kanë të drejtë jetese.

Flamingot krijojnë një pamje magjepsëse, por me situatën e tanishme ekzistenca e tyre është në rrezik.

Shërbimi i Botës së Egër në Keni është duke u munduar t’u ndihmojë flamingove duke i larguar e duke i prerë degët që po i kurthojnë këta zogj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat