Egjipti fillon hetimet rreth ngujimit të anijes në Kanalin e Suezit

Afrika

Egjipti fillon hetimet rreth ngujimit të anijes në Kanalin e Suezit

Më: 31 mars 2021 Në ora: 18:55
Egjipt

Egjipti ka nisur hetimet zyrtare për ta përcaktuar mënyrën e ngujimit të anijes “Ever Given” në Kanalin e Suezit, në rastin që kishte rezultuar me bllokimin rreth një javë të trafikut të anijeve në shtegun më të frekuentuar detar të tregtisë në botë.

Në kuadër të hetimeve ekspertët shtetërorë kanë qëndruar të mërkurën në anijen japoneze për të mbledhur të dhëna lidhur me rastin. Që prej zhbllokimit anija 400 metra e gjatë është ndalur në një pikë doganore në mes të Kanalit të Suezit.

Anija e rëndë 200 mijë tonë ishte bllokuar në pozitë diagonale, për shkak se nuk ka mundur ta përballonte stuhinë e rërës që e përfshiu Kanalin më 23 mars.

Që nga e hëna, kur dhe ishte zhbllokuar, më shumë se 140 anije kanë kaluar nëpërmjet Kanalit të Suezit. Rreth 12 për qind e tregtisë botërore kalon në kanalin e gjatë 193 kilometra që i lidh Detin Mesdhe dhe atë të Kuq. Ky kanal shërben si shtegu më i shkurtër i tregtisë midis Azisë dhe Evropës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat