“Gjeniu” nga Nigeria merr 19 oferta për bursa universitare prej 5 milionë dollarësh

Afrika

“Gjeniu” nga Nigeria merr 19 oferta për bursa universitare prej 5 milionë dollarësh

Më: 30 prill 2021 Në ora: 18:54
Victory Yinka-Banjo

Një adoleshente nga Nigeria ka marrë plot 19 oferta për bursë nga universitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. 17-vjeçares Victory Yinka-Banjo iu ofruan bursa universitare në vlerë prej më shumë se pesë milionë dollarësh për programe studimi.

“Ende më duket e pabesueshme. Kam aplikuar në shumë universitete pasi kam menduar se asnjë prej tyre do të më pranonte”, ka thënë ajo për CNN-in.

Victoryt i ishin dhënë bursa të plota nga universitetet më të njohura përfshirë Yale, Harvard, MAssachusetts Institute of Technology, Johns Hopkins e Universiteti i Virginias. Ajo ka marrë oferta edhe nga universitete në Kanada.

“Ata kanë procese përzgjedhëse tejet selektive. Pranojnë vetëm më të mirët e më të mirëve. Andaj mund ta imagjinoni, sa herë ja kujtoj vetes se kam marrë oferta të tilla. Është e pabesueshme”, ka shtuar ajo.

Adoleshentja pati rezultate të përsosura në shkollën e mesme. Ajo u shqua në fund të 2020-s, pasi mori pikët rekorde në një test të veçantë në Afrikën Perëndimore e më pas mori titullin si më e mira në botë për gjuhën angleze, si gjuhë të dytë, nga Universiteti i Cambridget.

“Gjeniu” Victory ka thënë se arritjet e saj janë përmbushur falë punës së madhe që ka bërë. Ajo po ëndërron të studiojë për një drejtim të biologjisë. Gjithsesi ofertat e shumta i kanë sjellë telashe për opsionet se ku të zgjedhë të vazhdojë studimet.

E ëma e saj, Chika, ka thënë se rrëfimi i të bijës duhet të jetë si inspirim për vajzat tjera nga Nigeria.

“Është e ditur se ajo nuk është një nga nigeriane-amerikanet që shpesh shkojnë në këto shkolla për shkak të avantazhit se janë lindur dhe rritur në SHBA. Ajo kompletoi shkollën e mesme këtu në Niger. Do të ishte e mrekullueshme që rrëfimi i saj të inspirojë të rinjtë e shtetit tonë”, ka thënë ajo për CNN.

Victory meritat për suksesin e saj akademik ia ka referuar besimit, disiplinës e kujdesit prindëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat