Banda bastis fshatin në Nigeri, 18 viktima dhe një i plagosur

Afrika

Banda bastis fshatin në Nigeri, 18 viktima dhe një i plagosur

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 14:48
Foto ilustrim

Persona të armatosur kanë vrarë 18 fshatarë në shtetin veriperëndimor nigerian të Katsina, sipas agjencisë franceze të lajmeve. Një grup  personash  të armatosur arritën me motorë në fshatin Chaua, në rrethin Batsari, të hënën në mbrëmje.

Ata qëlluan ndaj banorëve, duke plaçkitur dhe duke djegur shtëpitë, tha Gabo Isa, zëdhënës i policisë.Grupet e armatosura, anëtarët e të cilave autoritetet zakonisht i quajnë banditë, kanë terrorizuar popullsinë e Nigerisë veriperëndimore dhe qendrore gjatë dekadës së fundit. 

Banditët sulmojnë fshatrat, vjedhin bagëti dhe rrëmbejnë njerëz, për t'i shkëmbyer më pas me para.

"Banditët  vranë 18 persona dhe plagosën një fshatar në sulm, ndërsa një banor është ende i zhdukur," tha zëdhënësi, duke shtuar se persona të armatosur kishin vjedhur disa bagëti.

Sipas burimeve lokale, sulmi u krye për të "ndëshkuar" fshatarët për refuzimin e bashkëpunimit me bandat që po bastisin zonën. Kohët e fundit, bandat kanë intensifikuar sulmet ndaj shkollave dhe universiteteve, duke rrëmbyer qindra nxënës dhe studentë në këmbim të parave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat