Afrika e Jugut regjistron 431 vdekje të reja nga COVID-19

Afrika

Afrika e Jugut regjistron 431 vdekje të reja nga COVID-19

Më: 2 shtator 2021 Në ora: 01:04
Ilustrim

Afrika e Jugut të martën regjistroi 431 vdekje të lidhura me koronavirusin e ri (COVID-19) në një periudhë prej 24 orëve, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në këtë vend në 82.261, bëri të ditur Instituti Kombëtar për Sëmundje të Transmetueshme (NICD).

NICD po ashtu njoftoi se 7.086 raste të reja të COVID-19 u identifikuan në këtë vend, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve të konfirmuara laboratorike në 2,7 milionë.

Instituti tha se shumica e rasteve të reja janë nga provinca KwaZulu-Natal, që përbëjnë 25 për qind të infeksioneve, e ndjekur nga Kepi Lindor me 22 për qind dhe Kepi Perëndimor me 17 për qind. Gjashtë provincat e mbetura përbëjnë 33 për qind të të gjitha rasteve.

Shifra e së martës për infektimet e reja ishte më e lartë se rastet e reja të së hënës, e cila ishte 5.644, por më e ulët se numri mesatar i rasteve të reja në ditë gjatë shtatë ditëve të mëparshme, që ishte 9.816.

Afrika e Jugut ka numrin më të madh të infeksioneve dhe vdekjeve në kontinent. Vendi me mbi 60 milion njerëz ka administruar 12,3 milionë doza të vaksinës, ndërkohë vetëm 5,82 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht.

U zbulua një variant i ri

Të hënën, shkencëtarët në Afrikën e Jugut dhanë alarmin pasi zbuluan një variant të ri të COVID-19, të njohur si C.1.2, në të gjitha nëntë provincat e vendit, megjithëse me një ritëm relativisht të ulët.

NICD në një deklaratë tha se varianti C.1.2 u zbulua për herë të parë në këtë vend në maj të këtij viti dhe se hulumtimi mbi prejardhjen ka vazhduar që atëherë, duke tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve pasi kishte mutacione shtesë në krahasim me variantet e tjera.

“Bazuar në të kuptuarit tonë për mutacionet në këtë variant, ne dyshojmë se mund të jetë në gjendje t’i shmanget pjesërisht përgjigjes imune. Por pavarësisht kësaj, vaksinat do të ofrojnë ende nivele të larta mbrojtjeje kundër shtrimit në spital dhe vdekjes”, tha NICD.

Instituti tha se pret që variante të reja të vazhdojnë të shfaqen kudo që virusi po përhapet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat