Sudan, forcat e sigurisë përdorin gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Afrika

Sudan, forcat e sigurisë përdorin gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Më: 2 janar 2022 Në ora: 19:22
Protesta në Sudan

Të dielën Sudani u përfshi nga të tjera protesta, e 12-ta e zhvilluar deri tani kundër një grushti ushtarak shteti që ndodhi më 25 tetor. Pamje filmike tregonin forcat e sigurisë duke hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve që marshonin drejt pallatit presidencial në kryeqytetin e vendit Khartoum.

Disa dëshmitarë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se përpara protestave shërbimet e internetit dhe celularit u ndërprerë në kryeqytet.

Po kështu ishin mbyllur të gjitha urat që të lidhnin me Khartoum-in.

Protestat e së dielës vijnë pasi gjashtë persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën në demonstratat mbarëkombëtare kundër sundimit ushtarak që u zhvilluan të enjten. Numri i të vdekurve që nga muaji tetor ka arritur tashmë në 54, sipas Komitetit Qendror të Mjekëve Sudanezë.

Ushtria mori pushtetin falë një grushti shteti më 25 tetor duke i dhënë fund një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit me forcat politike civile. Marrëveshja e vitit 2019 ishte parashikuar t'i hapte rrugën krijimit të një qeverie kalimtare dhe zgjedhje të reja, pas largimit nga pushteti të udhëheqësit afatgjatë Omar al-Bashir.

Protestat kundër sundimit ushtarak kanë vazhduar edhe pasi Abdallah Hamdok u rikthye në detyrën e kryeministrit muajin e kaluar.

Demonstruesit kanë kërkuar që ushtria të mos luajë asnjë rol në qeveri gjatë periudhës së tranzicionit deri tek zgjedhjet e lira./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat