Algjeria ndërpret marrëveshjen e miqësisë dhe bashkëpunimit me Spanjën

Afrika

Algjeria ndërpret marrëveshjen e miqësisë dhe bashkëpunimit me Spanjën

Më: 8 qershor 2022 Në ora: 23:43
Abdelmadjid Tebbeoune

Algjeria ka përfunduar një marrëveshje miqësie 20-vjeçare me Spanjën, e cila parashihte që të dyja vendet të bashkëpunojnë në kontrollin e valëve të migracionit, duke përshkallëzuar mosmarrëveshjet mbi qëndrimin e Madridit ndaj Saharasë Perëndimore. Media shtetërore e Algjerisë raportoi vendimin pa dhënë arsye.

Burimet diplomatike spanjolle konfirmuan vendimin e Algjerisë, duke shprehur keqardhjen dhe duke rikonfirmuar angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes.

Marrëveshja e vitit 2002 detyronte te dyja palët të “thellojnë bashkëpunimin në kontrollin e flukseve të migracionit dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore”, sipas një teksti të botuar në gazetën zyrtare të Spanjës, raporton reuters.

Algjeria u zemërua kur Spanja njoftoi në muajin mars se mbështet planin e Marokut për t’i ofruar autonomi Saharasë Perëndimore. Algjeria mbështet Polisarion, lëvizjen për pavarësi të Saharasë, të cilën Maroku e konsideron të vetën dhe e qeverisë.

Ndërkohë, Algjeria është një furnizues kryesor i gazit për Spanjën, por presidenti algjerian, Abdelmadjid Tebbeoune tha më herët se ai nuk do ta ndërpresë kontratën e furnizimit për arsye diplomatike.

Ministri i Jashtëm spanjoll tha të mërkurën se nuk kishte indikacione se Algjeria mund të merrte masa që do të ndikonin në furnizimet me gaz pas prishjes së një marrëveshjeje 20-vjeçare për miqësinë, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin me Spanjën.

Qeveria algjeriane është një partner i besueshëm dhe i ka dhënë Spanjës garanci nga nivelet më të larta në lidhje me furnizimin me gaz, u tha gazetarëve ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares. Algjeria pritet të ndryshojë çmimet kur të lidhë kontrata të reja furnizimi me gaz me kompanitë spanjolle.

Sipas kontratës aktuale, e cila është afatgjatë, Algjeria furnizon gazin me çmime nën çmimet e tregut, tha i njëjti burim, i cili dëshironte të mbetej anonim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat