Blinken thekson rëndësinë e partneritetit të SHBA-ve me vendet e Afrikës

Afrika

Blinken thekson rëndësinë e partneritetit të SHBA-ve me vendet e Afrikës

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 15:40
Antony Blinken dhe Christophe Lutundula

Sekretari i Shtetit Antony Blinken vizitoi Ruandën të enjten, ndalesa e tretë dhe e fundit e një turneu të tij në Afrikë. Në çdo ndalesë, sekretari Blinken theksoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një partneritet të vërtetë me vendet afrikane, mbështesin përpjekjet rajonale për të pakësuar dhunën dhe nuk po përpiqen t’u diktojnë se me kë duhet të krijojnë aleanca.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken përfundoi vizitën e tij në Afrikë pas bisedimeve të enjten me Presidentin e Ruandës, Paul Kagame në Kigali. Sekretari Blinken u tha gazetarëve se ngriti shqetësimet serioze për të drejtat e njeriut dhe bëri thirrje për t'i dhënë fund çdo mbështetjeje për rebelët e armatosur në Republikën Demokratike të Kongos.

"Ka njoftime shumë të besueshme të mbështetjes për grupet e armatosura nga të gjitha palët, duke përfshirë Forcat Demokratike për Çlirimin e Ruandës, forcat kongoleze dhe grupin M23, nga banorë të Ruandës. Qëndrimi ynë është i qartë, mbështetja për çdo grup të armatosur duhet të ndërpritet", tha sekretari Blinken.

Një ditë më parë në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos, sekretari Blinken shprehu të njëjtat shqetësime se Ruanda ka ofruar mbështetje për grupin e armatosur rebel M23, që vepron në lindje të Kongos.

"Kjo zonë në lindje të vendit tonë është goditur rëndë nga grupe të armatosura terroriste që kanë frikësuar dhe dëmtuar popullsinë tonë për më shumë se 20 vjet. Gjendja në këtë rajon ishte pjesë e bisedimeve dypalëshe", tha ministri i jashtëm i Kongos, Christophe Lutundula.

Sekretari Blinken e nisi turneun e tij në tre vende të dielën e kaluar me një ndalesë në Afrikën e Jugut, ku foli me respekt për Kryengritjen në Soweto, një protestë studentore kundër regjimit të dikurshëm të aparteidit.

Sekretari Blinken dhe homologu i tij afrikano-jugor, Naledi Pandor thanë se zhvilluan bisedime të rëndësishme, duke u përqëndruar në qëllimet dhe interesat e përbashkëta. Ata biseduan mbi çështjen e konkurrencës dhe ndikimit në kontinent të Kinës dhe Rusisë, që zoti Blinken theksoi se ishte tema kryesore e turneut të tij në Afrikë.

"Ajo që ne kërkojmë më së shumti është një partneritet i vërtetë midis Shteteve të Bashkuara dhe Afrikës, ne nuk duam një marrëdhënie të pa ekuilibruar. Angazhimi ynë për një partneritet më të fortë me Afrikën nuk është pjesë e një përpjekje për të mposhtur dikë tjetër."

Vizita e sekretarit Blinken pason një turne në Afrikë nga Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe një eksperte i tha Zërit të Amerikës se afrikanët nuk janë të bindur se Shtetet e Bashkuara nuk po konkurrojnë për të shtrirë ndikimin e tyre në kontinent.

“Mendoj se kjo vazhdon të shihet si pjesë e një loje të madhe, e konkurrencës së një fuqie të madhe, e cila nuk dëshiron të humbasë mundësinë e shtrirjes së ndikimit dhe pranisë në këtë rajon, që është bërë përparësi e Rusisë dhe Kinës”, thotë Elizabeth Shackelford nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale.

Një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës se ai sheh një ndryshim në tonin dhe qasjen ndaj Afrikës nga administrata e presidentit Biden.

“Mendoj se ka një ndryshim mes qasjes së administratës Biden dhe administratës së mëparshme amerikane. Administrata e presidentit Biden nuk është aq e interesuar t'u tregojë afrikanëve se si duhet të bëjnë biznesin e tyre, me kë duhet të bëjnë biznes. Kjo ishte më shumë një theksim i ndryshimit të mesazhit direkt lidhur me Kinën krahasuar me administratën e mëparshme”, thotë eksperti Tom Sheehy nga Instituti Amerikan i Paqes.

Ekspertja Elizabeth Shackelford i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara duhet t'u japin përparësi vendeve afrikane si Kenia, e cila duket se po ecën përpara në një drejtim demokratik pas zgjedhjeve të kësaj jave dhe se ajo nuk mendon se Uashingtoni duhet të shfaqet kudo në kontinent për të konkurruar me të tjerët. Sekretari Blinken vizitoi Kenian, Nigerinë dhe Senegalin nëntorin e kaluar./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat