Cilat vende po evakuojnë shtetasit e tyre nga Sudani?

Afrika

Cilat vende po evakuojnë shtetasit e tyre nga Sudani?

Më: 24 prill 2023 Në ora: 21:07
Avioni i forcave ajrore të Spanjës mbërrin në Madrid me pasagjerë të evakuar nga Sudani (24 prill 2023)

Ndërsa luftimet e vazhdueshme ngrenë shqetësimet se Sudani mund të zhytet më thellë në kaos, qeveritë e huaja po përpiqen të largojnë diplomatët dhe shtetasit e tyre. Shumica e vendeve dislokuan avionë ushtarak transporti për të evakuuar njerëzit, përfshirë Francën e cila përdori bazën e saj ajrore në Xhibutin fqinj për transportin ajror. Por jo gjithçka po shkon mirë – rreth 2,000 shtetas britanikë mbeten në Sudan dhe shumë ankohen se qeveria e tyre nuk po u jep informacion të mjaftueshëm në lidhje me planet e evakuimit.

Edhe pse disa fluturime përfshinin njerëz të kombësive të ndryshme, më poshtë gjeni përpjekjet e evakuimit bazuar në informacionin e disponueshëm deri më tani:

SHTETET E BASHKUARA:

Forcat e operacioneve speciale amerikane përdorën helikopterë për të transportuar 70 anëtarë të personelit të ambasadës amerikane nga kryeqyteti sudanez, Khartoum, herët të dielën. Qeveria amerikane u ka thënë rreth 16,000 qytetarëve amerikanë në Sudan se duhet të kujdesen për veten e tyre dhe se nuk do të ketë evakuime masive.

MBRETËRIA E BASHKUAR:

Rreth 1200 ushtarë britanikë që ishin pjesë e një operacioni ushtarak nga një bazë ajrore kryesore britanike në ishullin lindor të Qipros ndihmuan në evakuimin e rreth 30 anëtarëve të personelit diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar dhe familjeve të tyre nga Sudani. Janë duke u bërë përpjekje për të fluturuar të evakuuarit në Britani nga Qiproja. Nuk ka asnjë informacion se sa njerëz janë evakuuar. Ministri britanik i Shtetit, Andrew Mitchell, tha se rreth 2,000 qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar ende në Sudan janë regjistruar në ambasadë dhe se po zhvillohet një "planifikim intensiv" për një "numër evakuimesh të mundshme".

FRANCA:

Zyrtarët thonë se Franca ka evakuuar 491 persona, duke përfshirë qytetarë nga 36 vende, gjatë fluturimeve nga Gadishulli i Somalisë për në Xhibuti. Ato përfshijnë 23 shtetas sudanezë që ishin anëtarë të familjes ose kishin lidhje të tjera me të huajt që po evakuoheshin dhe 38 shtetas të Nigerit. 36 të tjerë ishin shtetas irlandezë dhe nëntë ishin amerikanë. Mes të tjerëve ishin tre të plagosur, dy shtetas grekë dhe një belg, si dhe ambasadori gjerman dhe disa ambasadorë të tjerë të huaj.

GJERMANIA:

Katër avionë transportues ushtarakë gjermanë fluturuan më shumë se 400 njerëz nga Sudani në Jordani nga ku do të shkojnë në vendet e tyre. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se vendi i saj kishte evakuuar qytetarët e 20 vendeve, përveç vendit të saj, dhe do të përpiqet të vazhdojë ta bëjë këtë, edhe nëse përfundimi i armëpushimit të hënën mund të komplikojë situatën. Agjencia e lajmeve DPA tha se në mesin e të evakuuarve ishin shtetas të Australisë, Bullgarisë, Britanisë së Madhe, Belgjikës, Norvegjisë, Çekisë, Irlandës, Suedisë, Portugalisë. Qeveria austriake tha se 27 persona ishin shtetas austriakë.

ITALIA:

Avioni transportues i Forcave Ajrore Italiane C-130 nxori rreth 200 persona nga aeroporti i Khartoumit mbrëmjen e së dielës dhe i çoi në Xhibuti. Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se mes tyre ishin 140 italianë, disa zviceranë, evropianë të tjerë dhe personel nga ambasada e Vatikanit në Khartoum.

SPANJA:

Spanja tha se kishte evakuuar rreth 172 persona nga kryeqyteti sudanez në Xhibuti deri më tani, duke përfshirë 34 shtetas spanjollë dhe shtetas të Argjentinës, Kolumbisë, Irlandës, Italisë, Meksikës, Portugalisë dhe Polonisë.

SUEDIA DHE DANIMARKA:

Suedia thotë se 25 anëtarë nga stafi i ambasadës së saj dhe familjet e tyre ishin në mesin e 388 personave që avionët francezë i transportuan në Xhibuti. Danimarka tha se 15 qytetarë të saj ishin në mesin e të njëjtit grup.

FINLANDA:

Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto shkroi në Twitter se 10 finlandezë ishin evakuuar nga Kartum, përfshirë fëmijë. Ai tha se po bëhen përpjekje për të evakuuar disa finlandezë që kanë mbetur në kryeqytetin sudanez.

NORVEGJI:

Ambasadori i Norvegjisë në Sudan, Endre Stiansen postoi në Twitter se ai dhe dy kolegë janë "në një vend të sigurt jashtë Sudanit".

POLONIA:

Ministria e Jashtme e Polonisë tha se 11 polakë – përfshirë ambasadorin në Sudan, personelin diplomatik dhe qytetarë privatë – janë evakuuar si pjesë e përpjekjeve franceze dhe spanjolle.

HOLANDË:

Dy avionë C-130 Hercules të forcave ajrore holandeze kanë transportuar nga Sudani në Jordani të hënën shtetas të kombësive të ndryshme, përfshirë holandezët. Nuk janë dhënë shifra të saktë. Ministrja e Mbrojtjes Kajsa Ollongren tha në një postim në Twitter, më shumë fluturime ishin planifikuar “në bashkëpunim të ngushtë me partnerët”.

TURQIA:

Qeveria turke thotë se po evakuon qindra shtetas turq në rrugë tokësore për në Etiopi, ku do të nisen me avionë drejt Stambollit.

GREQIA:

Ministria e Jashtme e Greqisë tha se 15 shtetas grekë dhe familjarët e tyre po evakuoheshin drejt Xhibutit, me ndihmën e Italisë.

JAPONIA:

Kryeministri japonez Fumio Kishida tha se një avion ushtarak transporti ka marrë 45 shtetas japonezë dhe familjarët e tyre nga Port Sudan drejt Xhibutit. Zoti Kishida tha të hënën se vetëm një numër shumë i vogël japonezësh vazhdojnë të jenë në Sudan dhe se Japonia do të bënte maksimumin e mundshëm për t’i ndihmuar sa më shpejt të jetë e mundur. Japonia ka dërguar tre avionë për transportin dhe për furnizimin me karburant, si dhe 370 ushtarë, në bazën ushtarake në Xhibuti për të ndihmuar me evakuimin e 60 shtetasve japonezë.

AFRIKA E JUGUT:

Qeveria e Afrikës së Jugut thotë se të paktën 77 shtetas të saj, përfshirë stafin e ambasadës, janë duke u larguar nga kryeqyteti sudanez.

KENIA:

Ministria e Jashtme e Kenias thotë se 29 studentë kenianë kanë kaluar për në Etiopi dhe do të shkojnë në Nairobi, ndërsa forcat ajrore kanë vënë në gatishmëri një avion transporti për të larguar 18 studentë që tashmë janë duke udhëtuar në rrugë tokësore drejt kufirit të Sudanit Jugor. Dy avionë të tjerë pritet të transportojnë 300-400 kenianë drejt Xhedas.

PALESTINEZËT:

Ministria e Punëve të Jashtme palestineze tha se rreth 72 palestinezë janë zhvendosur në Port Sudan, ndërsa autokolona me automjete po transportojnë rreth 200 palestinezë drejt Egjiptit.

KOREJA E JUGUT:

Koreja e Jugut tha se një autobuz me të paktën 28 shtetas koreanojugorë, ndër ta edhe stafi i ambasadës, kanë hyrë në aeroportin e Sudanit të Jugut, ku një avion ushtarak i Koresë së Jugut i pret për t’i transportuar drejt Xhedas, në Arabinë Saudite.

JORDANIA:

Rreth 343 shtetas jordanezë që u evakuan nga Port Sudan mbërritën në aeroportin ushtarak Amman me katër avionë transporti.

EGJIPTI:

Agjencia shtetërore e lajmeve MENA tha se Egjipti u bën thirrje rreth 10 mijë shtetasve egjiptianë të gjendur në Sudan që të shkojnë në zyrat konsullore në Port Sudan dhe në Wadi Halfa në veri për t’u evakuar. Autobuzë me shtetas egjiptianë, numri i të cilëve nuk u bë i ditur, kaluan të hënën për në Egjipt përmes pikës kufitare Arqin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat