Mbërrin avioni i parë me ndihma humanitare në Sudan

Afrika

Mbërrin avioni i parë me ndihma humanitare në Sudan

Më: 30 prill 2023 Në ora: 15:52
Foto ilustrim

Aeroplan i parë që mbante “tetë tonë” ndihma, duke përfshirë “pajisje kirurgjikale”, u ul sot në Sudan për të ofruar shërbime mjekësore për 1500 pacientë në vend, ku shumica e spitaleve janë jashtë shërbimit për shkak të luftës.

Avioni, i cili po transportonte gjithashtu personel humanitar, u ngrit nga Amani dhe u ul në Port-Sudan, një qytet bregdetar 850 km në lindje të Khartoum, ku janë përqendruar luftimet. Hapësira ajrore e Sudanit është mbyllur që nga 15 prilli kur filluan luftimet në aeroportin e Khartoum.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), kjo dërgesë përmban “produkte anestezie, fashë, material qepjeje dhe sende të tjera kirurgjikale”.

“Këto pajisje do të bëjnë të mundur trajtimin e 1500 të plagosurve, ne shpresojmë që të jemi në gjendje t’i dorëzojmë shpejt në spitalet më të mëdha në Khartoum,” u tha gazetarëve drejtori rajonal i KNKK për Afrikën, Patrick Youssef.

Por, paralajmëron ai, për të ofruar kujdes ne kemi nevojë për më shumë garanci sigurie në Khartoum dhe Darfur, ku shumica e luftimeve, të cilat kanë vrarë më shumë se 500 njerëz në më shumë se dy javë, vazhdojnë.

“Në Darfur, situata është shumë e vështirë popullsia është zhvendosur, në rrethana normale do ta ndiqnim, por në situatën aktuale është e pamundur,” shton ai.

Për mjekët në Sudan është mbi të gjitha e nevojshme rivendosja e furnizimit me ujë dhe elektriciteti dhe largimi i luftëtarëve nga disa objekte.

Duhen alternativa edhe për 15 spitalet e bombarduara dhe grupe mjekësh për të zëvendësuar kolegët që në disa raste nuk e kanë ndërprerë punën prej dy javësh.

“Vetëm 16% e spitaleve funksionojnë në Khartoum sipas OKB-së, situata është tragjike për shkak të mungesës së mjekëve dhe mungesës së pajisjeve mjekësore” paralajmëron gjithashtu Youssef, i cili sqaron se “nëse në kushte normale, një spital duhet të furnizohet çdo dy ditë, në kohë lufte, veçanërisht nëse, si në këtë moment, spitalet po plaçkiten dhe sulmohen, duhet të furnizohen më shpejtë”.

Është gjithashtu e nevojshme, paralajmërojnë mjekët, të gjenden burimet për t’u kujdesur për “12,000 pacientët”, të cilët pa dializë në spitalet ku furnizimet janë bosh dhe gjeneratorët janë të pafuqishëm, “kanë rrezik të vdesin”.

“Sëmundjet kronike do të jenë ndër prioritetet tona të ardhshme,” vëren Youssef.

Së pari, thotë organizata ndërkombëtare me bazë në Gjenevë, “KNKK po përgatitet të marrë me qira një aeroplan të dytë për të ofruar më shumë furnizime mjekësore dhe personel humanitar”.

Që nga 15 prilli, 528 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4,000 janë plagosur, sipas ministrisë së shëndetësisë të Sudanit. Por kjo shifër mbetet shumë provizore pasi nuk është e lehtë të arrish kufomat e shtrira në rrugë dhe për këtë arsye të vdekurit janë të pamundur të regjistrohen.

“Njerëzit e Gjysmëhënës së Kuqe sudaneze janë në rrugë duke u përpjekur të mbledhin trupat,” sipas Youssef.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat