Të mbijetuarit e katastrofës libiane kujtojnë tmerrin: Shkretëtira u kthye në det

Afrika

Të mbijetuarit e katastrofës libiane kujtojnë tmerrin: Shkretëtira u kthye në det

Më: 16 shtator 2023 Në ora: 18:06
Libi

Të mbijetuar të përmbytjeve vrasëse që shkatërruan qytete të tëra në lindje të Libisë thonin sot për mediat se janë pa ushqim e ujë, teksa kërkojnë për të afërmit e tyre.

“A keni parë ndonjëherë shkretëtirën që kthehet papritur në det?” pyet 22-vjecari vendas Muhammad al-Awkali, duke kujtuar momentin kur stuhia goditi fshatin e tij al-Mukhaili pranë qytetit bregdetar të Derna.

Përmbytjet shkatërrimtare të javës së shkuar kanë vrarë më shumë 11,000 njerëz.

“Fillimisht në zonë kaloi një stuhi e fortë e zhurmshme me erëra të ashpra, dhe më pas kishte një sens të rremë qetësie”, tregon al-Awkali për rrjetin Al Jazeera.

“Ne ramë të qetë të flinim, por më pas rreth orës 12:30, pa asnjë paralajmërim, uji vershoi në shtëpitë tona”, shton ai.

Bashkë me anëtarët e tjerë të familjes ata u ngjitën në çati, dhe aty kuptuan masën e vërtetë të përmbytjeve.

“U shtanga nga tmerri që pashë, një përmbytje e madhe kishte përfshirë të gjithë zonën dhe vinte nga dy drejtime, nga veriu dhe nga perëndimi”, tregon për tmerrin al-Awkali.

Ai shton se bashkë me të tjerë shkuan për të ndihmuar fqinjë që banonin në zona më të ulëta, që ishin bllokuar në shtëpitë e tyre.

“U përpoqa të lëviz por rryma më përplasi në gardhin e fqinjit,” tha ai.

Ai kishte arritur të kapërcente gardhin e fqinjit dhe i kishte gjetur ata të ngjitur mbi dollapë duke tentuar të largonin ujin.

“Ata kaluan natën mbi dollape, askush nuk mund t’i ndihmonte,” tha ai.

Për disa ditë fshati tij jetoi në çati prej niveleve të larta, të paimagjinueshme të ujit.

Fati i tyre ishte i ngjashëm me shumë të tjerë në rajon. Qyteti i Derna ishte ai i goditur më rëndë nga vdekjet e stuhisë kur uji i digave të shpërthyera shkatërroi gjithçka.

Rreth 10,000 persona mbeten të humbur teksa kërkimet vazhdojnë. Ndihma humanitare kanë nisur të mbërrijnë nga qeveria perëndimore në Tripoli dhe donatorë ndërkombëtarë.

Kryebashkiaku Abdel-Moneim al-Ghaithi ka thënë se numri viktimave vetëm në Derna mund të arrijë në 20,000 duke parë numrin e lagjeve të rrafshuara nga uji .

Në Susa, rreth 50km larg Derna, situata në spitale mbetet katastrofike, thotë kirurgu Tahani al-Zani, i cili drejton repartin e emergjencës.

“Kam pritur në morg trupat e miqve të mi, njerëzve që njihja personalisht, nuk kisha kohë të isha i dobët apo të mbaja zi për ta”.

Al-Zani thotë se kishte dëgjuar për stuhinë që po afrohej, por nuk mund të imagjinonte diçka të tillë.

Ai tregon se ishte duke punuar kur “papritur të gjitha komunikimet dhe energjia u ndërprenë”.

“Nuk dija asgjë për familjen time dhe ata nuk dinin për mua. Trupat vazhdonin të shtoheshin në spital”, thotë doktori mes te tjerash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat